Nisin mbjelljet pranverore – Fermerët e Maliqit kërkojnë më shumë mbështetje për naftën

Bujqësi | 7 muaj më parë

Nisja e mbjelljeve pranverore në fushën e Maliqit këtë vit po zhvillohet më vonë se zakonisht. Reshjet e shumta të shiut gjatë muajve të dimrit kanë bërë që tokat të mbeten për një kohë më të gjatë me lagështi, duke e shtyrë fillimin e punimeve në ara.

“Kemi mbjellë patate dhe qepë pak më vonë nga lagështia e tepërt. Më së shumti prodhimet e shesim në Tiranë”, u shpreh fermeri Gëzim Kreka.

Fermerët e zonës shprehen se ky sezon kërkon më shumë mbështetje, veçanërisht sa i përket kostos së naftës, e cila mbetet një nga shpenzimet kryesore për punimin e tokës dhe procesin e mbjelljeve.

“Kemi kosto të lartë, kemi çmim të lartë të naftës dhe na rritet kosto e prodhimit”, tha ai.

Nga ana tjetër, reshjet e shumta kanë sjellë edhe një zhvillim pozitiv për bujqësinë e zonës. Rezervuarët janë mbushur ndjeshëm, duke garantuar më shumë ujë për sezonin e vaditjes gjatë muajve të verës.

“Reshjet kanë qenë në sasi të mëdha dhe ujëmbledhëset kanë qenë të tej mbushur dhe më një menaxhim të mirë këtë vit do të kemi një ujitje më të mirë se viti i shkuar që ishte shumë i thatë”, u shpreh Aurel Zenunllari, Përgjegjës i sektorit të Bujqësisë dhe Ushqimit, Bashkia Maliq.

Fermerët shpresojnë që kushtet klimatike të vijojnë të jenë të favorshme dhe që ky sezon të sjellë një prodhim të mirë për kulturat kryesore bujqësore të Fushës së Maliqit.

Gazetare: G. Manushi  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme