Një ditë më parë iu vendos tritol në banesë, arrestohet i shumëkërkuari Ylli Zalla

Aktualitet | 2 muaj më parë

Një ditë pasi banesa e tij në Fushë-Krujë u bë shënjestër e një sulmi me tritol, i shumëkërkuari Ylli Zalla është arrestuar nga Policia e Shtetit në kuadër të një operacioni të zhvilluar në Krujë.

Aksioni, i koduar “Fundi i Arratisë”, u finalizua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë. Sipas autoriteteve, Zalla i shmangej prej kohësh drejtësisë dhe konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Ministri për Punët e Brendshme, Besfort Lamallari, përgëzoi strukturat e Policisë për kapjen e të shumëkërkuarit.

“Përgëzime Policisë së Shtetit për finalizimin me sukses të operacionit policor ‘Fundi i Arratisë’, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore”, deklaroi Lamallari.

Ndërkohë, shpërthimi në banesën e Zallës ndodhi një natë më parë në fshatin Zallë të Fushë-Krujës. Sipas të dhënave paraprake të Policisë, në derën e banesës dyshohet se ishte vendosur një sasi lënde plasëse, e cila më pas shpërtheu. Nga shpërthimi pati dëme materiale në banesë, ndërsa flakët përfshinë edhe automjetin e Zallës, i cili ishte parkuar pranë banesës. Automjeti u dogj, ndërsa nuk pati persona të lënduar.

Ylli Zalla nuk është një emër i panjohur për autoritetet. Në të kaluarën, ai është arrestuar dhe hetuar për çështje të lidhura me armët dhe prodhimin e “bombave artizanale”.

Më herët, autoritetet kanë sekuestruar një arsenal armësh në banesën e tij në Fushë-Krujë. Po në kuadër të hetimeve për një atentat mafioz në Rinas, Zalla është përmendur nga autoritetet për lidhje me personat e dyshuar për ngjarjen. Sipas hetimeve të asaj kohe, nga banesa e tij dyshohej se kishte dalë edhe automjeti i përdorur nga autorët e atentatit, ndërsa Zalla dyshohej se i kishte ndihmuar për sigurimin e armëve.

Zalla ka rënë në pranga edhe në vitin 2014, në një operacion ku u raportua për prodhim të bombave artizanale. Në atë kohë, autoritetet e dyshonin gjithashtu për lidhje me persona të përfshirë në rrjete që rekrutonin shqiptarë për të luftuar në Siri dhe për lidhje të dyshuara me ISIS.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme