Paketë e Gjelbër për Liqenin e Shkodrës, projekt dyvjeçar në kuadër të bashkëpunimit Italo–Shqiptar
Krijimi i një paketë të gjelbër për shfrytëzimin e qëndrueshëm të Liqeni i Shkodrës në funksion të turizmit dhe komunitetit lokal ka qenë në fokus të një projekti dyvjeçar, të zbatuar në kuadër të Programit të Bashkëpunimit për Zhvillimin Italo–Shqiptar.
Ndërhyrjet e Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e cila drejtoi projektin, janë përqendruar në menaxhimin e qëndrueshëm të aktivitetit turistik, me qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe nxitjen e turizmit. Gjatë zbatimit të projektit janë evidentuar disa problematika, kryesisht ndotja mjedisore dhe peshkimi i paligjshëm, të cilat vijojnë të mbeten sfida për ekosistemin e liqenit.
“Duke qenë se është një zonë kufitare problematikat e saj janë të mëdha, kryesisht kemi ndotje nga ujërat e zeza dhe të gjitha gropat septike që ndodhen të gjitha ndërtimet apo bujtinat rreth Liqenit të Shkodrës”, u shpreh Agim Dardha, Drejtor i ADZM Shkodër.
Sipas përfaqësuesve të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, projekti ka synuar jo vetëm mbrojtjen e pasurisë natyrore, por edhe krijimin e një modeli zhvillimi që garanton përfitime afatgjata për komunitetin lokal.
“Janë bërë investime në infrastrukturë dhe në blerje pajisje për pastrimin e liqenit”, tha Holta Çopani, Koordinatore e projektit, AKZM.
“Zgjidhje Mjedisore dhe Turistike për Liqenin e Shkodrës” ishte projekti I radhës me fokus forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve, ekspertëve dhe komunitetit, duke e promovuar liqenin si një destinacion me vlera të veçanta natyrore dhe me potencial të rëndësishëm për zhvillimin e eko-turizmit në rajon.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





