Pasioni për detin kthehet në sukses, Anxhela dhe Kristi ofrojnë guida në rivierën shqiptare
Në qytetin bregdetar të Sarandës, dy të rinj, Anxhela Zika, 23 vjeç, dhe Kristo Eksarko, 27 vjeç, kanë kthyer pasionin për detin në një aktivitet të suksesshëm turistik.
Prej 8 vitesh ata ofrojnë guida turistike me skaf, duke u bërë një nga zgjedhjet më të preferuara për vizitorët që duan të zbulojnë bukuritë e rivierës shqiptare.
Fillimisht nisën vetëm me një skaf, por kërkesa në rritje i shtyu të zgjerojnë aktivitetin e tyre.
“Ky biznes nisi para tetë vitesh. Nisëm me një skaf të vogël, ta provojmë si ecën, dhe ishim shumë mirë. Pastaj morëm një skaf tjetër, një tjetër, dhe i bëmë tre.”
“Më shumë se kaq jo, sepse aq është. Tre skafe janë bollë, edhe punojmë, edhe bëjmë qejf, se është si profesion kjo. Tani…”
Dy të rinjtë tregojnë se interesi për turet turistike është gjithnjë e më i madh. Jo vetëm turistët e huaj, por edhe pushuesit vendas po zgjedhin të eksplorojnë bregdetin përmes guidave me skaf.
Pamjet mahnitëse, ndalesat në plazhe të fshehura dhe eksperienca ndryshe që ofrojnë kanë bërë që aktiviteti i tyre të fitojë popullaritet nga sezoni në sezon.
“Interesi është i madh, më shumë nga të huajt. Kemi edhe shqiptarë që kanë qejf ta eksplorojnë jugun. Ata nga veriu kanë shumë qejf jugun, por më shumë kemi të huaj.”
“Është një gjë shumë e bukur sepse ka shumë plazhe të bukura dhe ata kënaqen, sepse uji është kristal.”
Sot, kjo nismë nuk është më vetëm një mënyrë punësimi për Anxhelën dhe Kristin. Ajo është kthyer në një pasion të vërtetë, që i lidh çdo ditë me detin dhe turistët që vizitojnë Sarandën. Ata shprehen se mezi presin nisjen e sezonit veror për të rikthyer turet dhe për të ndarë me vizitorët bukuritë e jugut të Shqipërisë.
Nëpërmjet punës dhe përkushtimit të tyre, Anxhela dhe Kristi kanë arritur të ndërtojnë jo vetëm një biznes të suksesshëm, por edhe një eksperiencë unike për çdo turist që viziton Sarandën. Historia e tyre tregon se pasioni, këmbëngulja dhe dashuria për vendin ku jetojnë mund të kthehen në një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





