Përgatitjet për sezonin e vaditjes, pastrohen kanalet dhe rrugët midis parcelave në Sarandë
Në Bashkinë e Sarandës kanë nisur ndërhyrjet për përgatitjen e sezonit të vaditjes, pas përfundimit të mbjelljes së kulturave kryesore bujqësore. Sipas drejtorit të bujqësisë, Mustafa Lama, puna në terren ka përfshirë pastrimin e kanaleve vaditëse dhe përmirësimin e infrastrukturës mbështetëse për fermerët.
“Pas pastrimit të kanaleve vaditëse presim të korra të mbara”, u shpreh Lama.
Autoritetet lokale theksojnë se këto ndërhyrje janë të rëndësishme për garantimin e një sezoni vaditjeje sa më efikas dhe për rritjen e produktivitetit në sektorin bujqësor. Megjithatë, në Bashkinë e Sarandës, drejtori Lama thekson edhe disa problematika të mbartura ndër vite në sektorin bujqësor.
“Kemi një problem madhor që në 20 vite kemi kultivuar të njëjtën bimë në të njëjtën sipërfaqe dhe kjo çon në varfërimin e tokës”, tha ai.
Në këtë kuadër, autoritetet vendore bëjnë me dije se puna nuk do të kufizohet vetëm në ndërhyrjet aktuale, por do të vijojë me mirëmbajtje të vazhdueshme të rrjetit vaditës dhe përmirësim të mëtejshëm të infrastrukturës bujqësore. Qëllimi mbetet krijimi i kushteve sa më të favorshme për fermerët, rritja e rendimentit të prodhimeve dhe forcimi i qëndrueshmërisë së sektorit bujqësor në zonë.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





