Policia britanike pranon se urdhër-kontrollet ndaj ish-Princit Andrew ishin të paligjshme

Policia e Thames Valley ka pranuar se urdhër-kontrollet e përdorura për bastisjen e banesave të Andrew Mountbatten-Windsor, ish-Princit Andrew, në fillim të këtij viti, ishin të paligjshme.
Pranimi u bë gjatë një seance në Gjykatën e Lartë britanike, ku u shqyrtua ligjshmëria e urdhrave të përdorur për kontrollet në rezidencën e tij në Sandringham dhe në Royal Lodge, në Windsor.
Sipas policisë, informacioni i paraqitur në Gjykatën Qendrore Penale, Old Bailey, për të justifikuar lëshimin e urdhrave të kontrollit ishte i pasaktë. Si pasojë, gjyqtari që i kishte miratuar urdhrat nuk mund të ishte i sigurt se plotësoheshin kushtet ligjore për kryerjen e kontrolleve.
Andrew u arrestua nga Policia e Thames Valley në shkurt, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës publike. Ai i mohon akuzat dhe çdo shkelje.
Avokatët e tij kanë nisur një proces gjyqësor për të kundërshtuar ligjshmërinë e urdhër-kontrolleve, duke sfiduar veprimet e shefit të policisë së Thames Valley dhe të Gjykatës Qendrore Penale.
Gjatë kontrolleve, policia mori dokumente dhe pajisje elektronike nga banesat e Andrew.
Çështja lidhet me dokumente të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, të cilat sugjeronin se Andrew kishte përcjellë informacione konfidenciale te Jeffrey Epstein, i dënuar për vepra seksuale, në vitin 2010, kur Andrew shërbente si përfaqësues britanik për tregtinë.
Andrew ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje në lidhje me Epstein.
Gjykata dëgjoi se, për lëshimin e urdhrave të kontrollit, duhej të ekzistonin baza të arsyeshme për të besuar se dokumentet e përdorura për qëllime biznesi ose në kuadër të një detyre, të paguar ose të papaguar, ku ishte dhënë një detyrim konfidencialiteti, nuk duhej të konfiskoheshin.
Policia e Thames Valley tashmë pranon se gjyqtari që autorizoi kontrollet nuk kishte mundësi të ishte i bindur se ky kusht ligjor ishte përmbushur.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



