Prodhim i misrit në Sarandë, korrja po shkon drejt fundit, kushtet klimatike ulën prodhimin

Bujqësi | 31 minuta më parë

Kjo periudhë për fermerët e Sarandës përkon me korrjen e kulturës së misrit, i cili zë një sipërfaqe të konsiderueshme në zonë.

Sipas drejtorit të bujqësisë Mustafa Lama, ky proces është tashmë drejt përfundimit në shumë prej parcelave të kultivuara. Lama bën të ditur se kushtet klimatike të këtij viti kanë ndikuar në prodhim, duke sjellë një ulje të rendimentit me rreth 20 kuintalë për hektar.

“Periudha në të cilën po flasim përkon me korrjen e kulturës së misrit që ne kultivojmë nëpër fushat e vurgut. Jemi në fund të saj. Pothuajse kemi edhe një javë punë dhe përfundojmë totalisht korrjen, por prodhimi sërish përjetoi kushte atmosferike jo të mira. Sidomos stuhia e ndodhur përpara dy muajsh bëri që një pjesë e kulturës së misrit të përkulej dhe të mbetej në tokë. Kjo bëri që të humbnim rreth 20 kuintalë për hektar”, u shpreh drejtori i Bujqësisë, Mustafa Lama.

Lama thekson se tregu për fermerët është i siguruar, edhe pse çmimi i shitjes nuk është në pritshmëritë e tyre.

“Tregu është i siguruar. Çmimi nuk është akoma në pritshmëritë e tyre, por farat e përdorura, kryesisht fara Pioneer, arritën rezultate shumë të mira, me kallinj të plotë dhe me numër rreshtash të mbushur deri në 18”, tha ai.

Fushata e korrjes së misrit në Sarandë po shkon drejt mbylljes, ndërsa fermerët vijojnë punën për të përfunduar procesin dhe për të hedhur prodhimin në treg, në pritje të rezultateve të këtij sezoni.

Gazetare: B.Gjyli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme