Programi Erasmus+, studentë spanjollë zhvillojnë profesionale në Gjirokastër

Arsim | 5 muaj më parë


Kanë afro një muaj në Gjirokastër. Vijnë nga Spanja në kuadër të programit Erasmus+. Këta të rinj i janë bashkuar stafit të zyrës së administrimit të Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës” për të kryer praktikën profesionale, sipas profileve që kanë zgjedhur: TIK dhe Menaxhim.
Qëndrimin në qytetin e gurtë po e shfrytëzojnë edhe për të zbuluar traditat dhe historinë shqiptare, duke shëtitur në zona të tjera të qarkut.

Drejtoresha e zyrës së administrimit të Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës”, Eduina Guga, thotë se kanë gjithë mbështetjen e stafit për të kaluar një eksperiencë të paharrueshme.

“Eksperienca ime këtu është e vërtetë shumë e mirë. Unë punoj si IT, kështu që merrem me problemet që mund të kenë me printera dhe probleme të tjera teknike që mund të ketë në kompjutera,” – shprehet një prej të rinjve.


Ndërsa një tjetër theksoi se “Kjo ka një gjë të tillë shumë frymëzuese për mua pasi më jep mundësinë të njoh një nga lumenjtë më të veçantë në Evropë si edhe të punoj me një ekip të përkushtuar ndaj mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit të qëndrueshëm.”

“Më pëlqen jashtëzakonisht të udhëtoj dhe të zbuloj vende të bukura dhe kjo është një nga pjesët më të veçanta të kësaj eksperience. Gjatë kësaj kohe kemi udhëtuar edhe për shkak të punës duke vizituar peizazhe mahnitëse dhe vende plot histori.”

“Qyteti nga vij, Kuela, ka gjithashtu një kështjellë ndaj që në momentin e parë ndjeva një lidhje me Gjirokastrën dhe atmosferën e saj. E vërteta është se po e shijoj shumë këtë eksperiencë.”

Drejtoresha e Parkut Kombëtar “Vjosë”, Eduina Guga, u shpreh për RTSH se: “Jam e bindur që edhe për ta është një përvojë shumë e mirë e shkëmbimit të dijeve dhe përvojave të tyre, sidomos në një zyrë sikurse është kjo e jona që është relativisht e re. Ka informacione shumë interesante me të cilat ne dhe ata punojmë, janë integruar dhe janë bërë pjesë e stafit tonë sikurse është stafi vendas.”

Aktualisht në Gjirokastër janë 20 studentë spanjollë duke kryer praktikën profesionale në institucione dhe biznese të qytetit të gurtë.

Gazetare: Y. Ponde
/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme