Protestuesit hedhin molotov para Kryeministrisë dhe Parlamentit, 16 policë të dëmtuar

Gjashtëmbëdhjetë punonjës të Policisë mbetën të dëmtuar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore si pasojë e protestës së mbajtur këtë të martë nga opozita në Tiranë.
Sakaq, disa policë janë paraqitur në Spitalin e Traumës dhe disa pranë Shërbimit të Djegieve – Plastikës në QSUT. Ata po ekzaminohen nga mjekët, ndërsa gjendja e tyre raportohet si stabile.
Fillimisht, protestuesit hodhën mjete molotov para godinës së Kryeministrisë, ndërsa Policia ndërhyri për shpërndarjen e tyre duke përdorur ujë nën presion.
Më pas, turma u zhvendos drejt Parlamentit, ku disa protestues vazhduan të hedhin molotov drejt forcave të rendit.
Gjatë fjalës së tij, në përmbyllje të protestës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri thirrje për revolta popullore për të rrëzuar qeverinë Rama, duke akuzuar kryeministrin se sipas tij rrezikon integrimin dhe të ardhmen e vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




