Qeveria çon në Kuvend projektligjin për dëftesat tregtare, fermerët mund të përdorin prodhimet si kolateral për financime dhe kredi të shpejta

Bujqësi | 4 muaj më parë

Këshilli i Ministrave ka kaluar për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin e ri “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”. Nisma e propozuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural synon të krijojë një instrument të ri financiar të transferueshëm, i cili u mundëson fermerëve të përdorin prodhimet e tyre—të ardhshme ose të magazinuara—si kolateral për të përfituar financime dhe kredi të shpejta.

Sipas draftit, i gjithë procesi do të jetë i digjitalizuar, duke u integruar përmes portalit kombëtar e-Albania dhe një regjistri të ri elektronik që do të administrohet nga ministria përgjegjëse.

Mekanizmi financiar, prodhimi si garanci për kredi

Objekti i këtij ligji prek dy instrumente kryesore: dëftesat për produktet e ardhshme (përpara korrjes/vjeljes) dhe ato për produktet e magazinuara. Ligji i klasifikon këto dëftesa si tituj të transferueshëm dhe instrumente financiare, të cilat mund t’u shiten palëve të treta po nëpërmjet sistemit elektronik.

Neni 1 i projektligjit përcakton qartë natyrën juridike të këtyre dokumenteve:

“Ky ligj përcakton rregullat për lëshimin e dëftesave tregtare mbi produktet bujqësore, të ardhshme dhe ato të magazinuara, si instrumente financiare, të garantuara me barrë siguruese, mbi procedurat e regjistrimit, si dhe mënyrën e përmbushjes e të ekzekutimit të tyre.”

Për të mbrojtur fermerët nga kostot e larta të financimit, drafti vendos një tavan për normat e interesit të aplikueshme nga kreditorët jobankarë. Interesi i financimit të dhënë nuk do të lejohet të kalojë normën mesatare efektive mujore të kredive bankare të publikuar nga Banka e Shqipërisë për muajin paraardhës.

Çfarë ndodh në rast dështimi të prodhimit?

Një nga pikat më specifike të projektligjit lidhet me garancitë e dëftesës tregtare për produktin e ardhshëm (kultura ende në arë). Në rast se fermeri përballet me rënie të sasisë apo dështim të korrjeve, ai është i detyruar të ofrojë kolateral zëvendësues.

Nëse kjo nuk arrihet, ligji parashikon bartjen automatike të barrës siguruese mbi sezonin pasardhës:

“Nëse debitori nuk arrin të zëvendësojë produktin… korrjet e sezonit pasues të produktit bujqësor, nga toka që u përdor për të prodhuar e korrur produktin, objekt të dëftesës tregtare do të konsiderohen kolateral i dëftesës tregtare deri në shlyerjen e plotë të detyrimit.”

Nga ana tjetër, për produktet e magazinuara, kreditori gëzon të drejtën t’i drejtohet zyrës së përmbarimit për të nisur shitjen e produktit të bllokuar vetëm 2 ditë kalendarike pas kalimit të afatit të maturimit të dëftesës.

Statusi si titull ekzekutiv dhe kontrolli në terren

Për të garantuar mbrojtjen e kreditorëve dhe funksionimin e shpejtë të sistemit pa zvarritje gjyqësore, të gjitha dëftesat e gjeneruara automatikisht nga sistemi me vulë elektronike do të kenë fuqinë e titullit ekzekutiv. Kjo do të thotë se në rast mospërmbushjeje, kreditori mund të nisë menjëherë procedurat e sekuestrimit dhe shitjes së kolateralit përmes përmbaruesit.

Për monitorimin e sistemit, brenda Ministrisë së Bujqësisë do të ngrihet “Njësia e dëftesave tregtare”, e cila do të bashkëpunojë me agjencitë e ekstensionit bujqësor dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) për të kryer inspektime në terren dhe në magazina nëse dyshohet për të dhëna të rreme të hedhura në sistem.

Sipas dispozitave kalimtare, shërbimet elektronike të parashikuara në këtë ligj duhet të bëhen funksionale nga Ministria dhe AKSHI brenda një viti nga hyrja në fuqi e tij, ndërsa Këshilli i Ministrave ka 6 muaj afat për miratimin e formateve tip të dëftesave.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme