Rama propozon marrëveshje botërore për “AI” : Inteligjenca artificiale të mos mbetet privilegj i vendeve të pasura

Politikë | 46 minuta më parë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u ndal te zhvillimet e fundit në vend dhe ndikimi i inteligjencës artificiale, duke theksuar se Shqipëria, pavarësisht përmasave të saj të vogla, po ndërton një pasqyrë digjitale të mbështetur mbi inteligjencën artificiale.

Ai kërkoi një marrëveshje ndërkombëtare për një inteligjencë artificiale sovrane dhe demokratike, duke vënë theksin te transparenca dhe llogaridhënia.

Rama tha se gjatë qëndrimit në OKB është surprizuar pozitivisht nga interesi i shumë bashkëbiseduesve për atë që po ndodh në Shqipëri, veçanërisht sa i përket përdorimit të inteligjencës artificiale.

Rama tha se Shqipëria po ndërton një pasqyrë digjitale të mbështetur mbi inteligjencën artificiale, e cila ka për qëllim të identifikojë në kohë reale informacionin e manipuluar dhe të testojë pretendimet krahasuar me burimet e autorizuara.

“Ja pse Shqipëria, në shkallën e vet mikroskopike përkundrejt kësaj sfide gjigande, po ndërton një pasqyrë digjitale të mbështetur mbi inteligjencën artificiale. Pasqyra do të identifikojë në kohë reale, do të testojë pretendimet krahasuar me informacionin e autorizuar, do të zbulojë strukturat e koordinuara, jo vetëm ato çfarë shihen, por edhe si dhe pse ka mbërritur tek ato. Nuk do t’u thotë qytetarëve çfarë duhet të mendojnë, e drejta nuk mund të dekretohet nga asnjë qeveri, por të jetë e mbështetur nga të dhënat, të nxirret nga burimet e duhura, të testohet, të mbrohet haptazi. Pasqyra jonë nuk pretendon të shndërrohet në arbitër opinioni, por ka synim që të shndërrohet në një infrastrukturë transparence. Nuk kërkon të krijojë një ministri të së vërtetës, por kërkon të mbrojë shoqërinë kundrejt një industrie të gënjeshtrës.”

Kryeministri theksoi se Shqipëria, përmes këtij projekti, bën thirrje për një marrëveshje ndërkombëtare që garanton sovranitetin digjital dhe transparencën e përdorimit të inteligjencës artificiale.

“Si rrjedhojë, Shqipëria bën thirrje për një marrëveshje ndërkombëtare për një inteligjencë artificiale sovrane dhe demokratike.”

Rama renditi katër parime kryesore që duhet të udhëheqin përdorimin e inteligjencës artificiale në nivel global.

“Se pari, qytetarët duhet të dinë kur përmbajtja politike me ndikim është gjeneruar artificialisht apo është manipuluar në përmbajtjen e saj. Se dyti, arkitektura e shpërndarjes duhet të bëhet transparente. Qytetarët dhe shtetet duhet të kenë mundësinë të dinë kush e krijoi, kush e financoi, kush e amplifikoi artificialisht përmbajtjen politike me ndikim. Se treti, çdo përdorim i inteligjencës artificiale nga një institucion publik duhet të ruajë një zinxhir të qartë llogaridhënieje njerëzore-ligjore. Se katërti, demokracitë duhet të krijojnë një sistem të përbashkët paralajmërimi të përhershëm, në mënyrë që të dhënat e manipulimit të drejtuar nga inteligjenca artificiale të mund të qarkullojnë midis të gjitha vendeve me mendësi të njëjtë po aq shpejt sa vetë manipulimi. Vendet e vogla dhe gjuhët e vogla nuk duhet të mbeten jashtë kësaj arkitekture mbrojtëse. Sovraniteti digjital nuk mund të jetë një privilegj i rezervuar vetëm për shtetet më të pasura.”

Duke iu referuar debatit ndërkombëtar mbi ngadalësimin apo ndalimin e zhvillimit të inteligjencës artificiale, Rama tha se Shqipëria nuk pajtohet me këtë qasje, por mbështet përshpejtimin e saj me kusht që të jetë e verifikueshme dhe transparente.

“Disa përgjigjen që duhet të ndalet apo të ngadalësohet. Ne jemi shumë të vegjël, por me shumë respekt, ne nuk do të biem dakord. Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka të drejtë kur thotë se nuk duhet të ndalemi, por duhet të përshpejtojmë. Na duhet një inteligjencë artificiale që është e verifikueshme, transparente dhe llogaridhënëse. Shqipëria po ndërton një pasqyrë digjitale të mbështetur mbi inteligjencën artificiale. Pasqyra jonë nuk synon të shndërrohet në arbitër opinioni, por ka synim që të shndërrohet në infrastrukturë transparence. Për rrjedhojë, Shqipëria bën thirrje për një marrëveshje ndërkombëtare për një AI sovrane dhe demokratike. Gënjeshtrat udhëtojnë pa viza, nuk duan t’ia dinë për ura, për kontrolle kufiri. Algoritmet kapërcejnë kufijtë pa pasur nevojë për pasaportë dhe pa frikën e ndonjë lloj qeverie.”

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme