“Me Ramën Shqipëria në majën më të lartë të historisë”, Balla: Transformimi i institucioneve ka sjellë vlerësim nga BE dhe SHBA

Pas përfundimit të fjalimit të Kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku ai prezantoi projektin e “Pasqyrës digjitale” dhe bëri thirrje për një marrëveshje ndërkombëtare mbi inteligjencën artificiale, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar në rrjetet sociale.
Balla, i cili është pjesë e delegacionit shqiptar në Nju Jork, ka publikuar një foto me Kryeministrin Rama, duke e shoqëruar me një mesazh politik mbi transformimin e Shqipërisë dhe rrugën europiane të vendit.
Në reagimin e tij, Balla shkruan se “Me Edi Rama Shqipëria është ngjitur në majën më të lartë të historisë së shtetit shqiptar. Sot Shqipëria nuk është më ajo e së shkuarës. Transformimi i institucioneve, forcimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit janë procese që kanë fituar vëmendje dhe vlerësim të shtuar nga partnerët tanë strategjikë, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara.”
Ai shtoi se pavarësisht këtij realiteti të ri, kundërshtitë politike dhe mediatike vazhdojnë, por sipas tij, lufta kundër korrupsionit nuk mund të bëhet me retorikë apo akte simbolike, por vetëm përmes institucioneve.
“Përballë këtij realiteti të ri, vazhdojnë zhurma politike e mediatike dhe rikthehen shpresat e humbura të humbësve kronikë. Por lufta kundër korrupsionit nuk bëhet me retorikë, sharje apo vezë, por përmes institucioneve dhe një sistemi që po ndërtohet pikërisht për të garantuar më shumë transparencë, përgjegjshmëri dhe drejtësi. Ku secili ka përgjegjësinë e tij civile, penale, morale. Kaq!”
Balla theksoi se propaganda dhe sulmet politike nuk mund të ndalojnë procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Koha e propagandës dhe e baltës politike nuk mund të ndalë rrugën tonë europiane që tashmë ka hyrë në një fazë të re.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




