Reforma territoriale, Balla: PS do ta votojë, deputetët duhet të jenë të gjithë të pranishëm

Politikë | 38 minuta më parë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se grupi parlamentar ka vendosur të mbështesë me votë projektligjin për reformën territoriale, pasi të përfundojë shqyrtimi i tij në Komisionin për Ligjet. Në një deklaratë për mediat, Balla tha se gjatë mbledhjes së grupit parlamentar janë dhënë sqarime për shqetësimet e ngritura nga deputetët lidhur me projektligjin. Sipas Ballës, sqarimet janë dhënë nga kolegu Arbjan Mazniku, i cili ka drejtuar Komisionin e Posaçëm për reformën administrativo-territoriale.

“Në mbledhjen e grupit parlamentar, nga kolegu Mazniku, që ka drejtuar Komisionin e Posaçëm, janë dhënë përgjigje mbi disa sqarime të ngritura nga kolegë të grupit mbi projektligjin për reformën administrativo-territoriale”, deklaroi Balla.

Ai bëri të ditur se vendimi i grupit parlamentar socialist është që, pas përfundimit të shqyrtimit në Komisionin për Ligjet, projektligji të kalojë për votim në seancë plenare.

“Vendimi i grupit është që, sapo të përmbyllet në Komisionin e Ligjeve, ky projektligj të kalojë për votim në seancë plenare”, tha kreu i grupit parlamentar të PS-së.

Balla theksoi gjithashtu se vota pro e socialistëve është pjesë e vendimmarrjeve politike për të cilat kërkohet prania e të gjithë deputetëve të grupit parlamentar.

“Vota pro e grupit parlamentar të PS-së hyn në ato vendimmarrje politike për të cilat kërkohet që të gjithë deputetët të jenë prezentë dhe të votojnë”, u shpreh ai.

Sa i përket kundërshtimit nga ana e banorëve të Memaliajt për bashkimin me Tepelenën, Balla tha se një bashki e madhe Tepelenë-Memaliaj do i ofrojë të gjitha zonave të Memaliajt shërbime më të mira dhe më shumë investime.

“Kur kaluam nga 384 në 61 qe jemi sot, në zonat rurale ka pasur më shumë investime se sa kishte në periudhën më përpara. Dua t’u them të gjithë banorëve në zonat rurale se do të kenë më shumë investime dhe shërbime. Bashkitë më të mëdha krijojnë më shumë të ardhura. Qëllimi është që të kemi bashki me të ardhura më të mëdha dhe të marrin dhe mbështetje nga qeveria”, tha Balla.

Sa i përket deklaratave kundër nga dy deputetë të PS, ai tha se bëhet fjalë për vendim politik. “Jo sot, por gjithmonë në mbledhjen e grupit parlamentar ka raste që deputetët shprehin mendimin e tyre, votojnë dhe kundër, por në fund është ai vendimi tjetër që pason, që është vendimi politik. Të gjithë deputetët e dinë se sa e rëndësishme është të ecim përpara në këtë moment të rëndësishëm kur Shqipëria nuk ka qenë kurrë më pranë anëtarësimit europian”, tha Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme