Regjistrimet në shkollat e Hasit – Afro 180 nxënës në klasën e 1-rë, po aq dhe në klasën e 10-të
Në Has, që nga data 14 korrik janë regjistruar rreth 100 nxënës, të cilët do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Jetmir Qaushi, specialist pranë ZVA Has, bën të ditur se sipas të dhënave pritet që deri në mbylljen e procesit të regjistrohen rreth 179 nxënës.
Sa i përket regjistrimit në klasën e 10-të, përmes portalit e-Albania priten të regjistrohen 182 nxënës.
Ndërkohë që për prindërit që kanë hasur vështirësi në regjistrim, nuk ka munguar ndihmesa nga drejtoritë e shkollave.
“Zyra arsimore në bashkëpunim me drejtoritë e shkollave ka marrë të gjitha masat që t’u vijë në ndihmë prindërve të cilët ndoshta e kanë të pamundur aksesimin në forma të ndryshme në e-Albania, për t’i regjistruar fëmijët e tyre,” thotë z. Qaushi.
Sipas të dhënave, bëhet e ditur se edhe këtë vit shkollor nuk ka rënie të numrit të nxënësve të regjistruar në krahasim me vitin e kaluar. Sa u përket nxënësve të klasave të 10-të, shumë prej tyre po zgjedhin arsimin profesional në Gjakovë.
Regjistrimi në klasën e parë dhe të dhjetë do të vijojë deri më 31 gusht. Ndërkohë, dita e parë e shkollës për vitin e ri shkollor të arsimit parauniversitar do të jetë 8 shtatori.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





