Ikonat shqiptare në Francë, ekspozita në Chambéry do të qëndrojë e hapur deri në janar
Ekspozita “Ikonat e Shqipërisë, Thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar”, e çelur në qershor të këtij viti në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry të Francës, do të qëndrojë e hapur deri më 3 janar 2027 për shkak të interesit të lartë të publikut. Ekspozita prezanton rreth 50 ikona nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, duke sjellë për publikun francez një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë artistike shqiptare.
Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Fjoralba Prifti, u shpreh se ekspozita do të vazhdojë të mirëpresë vizitorë edhe për disa muaj.
“Muzeu i Artit Mesjetar do të vazhdojë të ekspozojë rreth 50 ikona në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry deri më 3 janar 2027. Është një lajm i mirë, sepse tregon se ekspozita ka pasur një sukses të madh dhe ka zgjuar interesin e artdashësve dhe vizitorëve francezë, por edhe italianë”, tha Prifti.
Interesi për ekspozitën ka ardhur jo vetëm nga vizitorët, por edhe nga studiuesit, të cilët kanë treguar vëmendje të veçantë ndaj ikonave dhe historisë së tyre.
“Interesi ka qenë jo vetëm nga vizitorët e shumtë francezë, por edhe nga studiues, artdashës dhe njohës francezë të artit pamor. Pas botimit të katalogut, i cili pati një sukses të jashtëzakonshëm në Francë, presim që ai të vijë së shpejti edhe në muzeun tonë në Shqipëri. Ky katalog përfshin përshkrimet e të gjitha ikonave, historinë e Korçës, historinë e Shqipërisë dhe historinë e muzeut, të cilat përmblidhen në një narrativë shumë interesante. Ai është shkruar nga studiues të mirënjohur shqiptarë dhe francezë dhe presim që së shpejti të jetë i disponueshëm edhe për publikun në Shqipëri”, u shpreh ajo.
Kjo ekspozitë shihet si një hap i rëndësishëm për prezantimin e koleksionit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar edhe në vende të tjera. Krahas ekspozimit të ikonave, në Francë do të zhvillohen edhe aktivitete shoqëruese, si koncerte, vizita të komentuara dhe një tryezë e rrumbullakët.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




