Malaj: Monitorim i çmimeve të karburanteve dhe formalizim i tregut të qirave afatshkurtra përmes Airbnb dhe Booking

Ekonomi | 48 minuta më parë

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar në Komisionin e Ekonomisë disa nga parashikimet e paketës fiskale për vitin 2027, duke u ndalur te ulja e borxhit publik, monitorimi i çmimeve të hidrokarbureve, ndryshimet në TVSH dhe formalizimi i të ardhurave nga dhënia e apartamenteve me qira afatshkurtër.

Sipas Malajt, borxhi publik parashikohet të ulet me 0.1 % gjatë vitit 2027, i ndikuar kryesisht nga rritja ekonomike, e cila projektohet në masën 3.9%.

Sa i përket tregut të hidrokarbureve, Malaj deklaroi se do të monitorohet reflektimi në çmimin final i uljes së taksës së qarkullimit në 32.4 lekë. Sipas tij, po shqyrtohet edhe mundësia e ngritjes së një Bordi të Përhershëm të Transparencës, i cili do të ndjekë në mënyrë të vazhdueshme lëvizjet e çmimeve të karburanteve.

“Borxhi publik në vitin 2027 parashikohet të ulet me 0.1 %, si rezultat i rritjes ekonomike, e cila parashikohet të jetë në masën 3.9%. Sa i përket uljes së borxhit gjatë vitit 2026, ndikimin më të madh e ka pasur rritja ekonomike, e cila deri në fund të vitit parashikohet të jetë rreth 4%.

Në tregun e hidrokarbureve do të monitorojmë reflektimin e uljes së taksës së qarkullimit në 32.4 lekë. Gjithashtu, është duke u diskutuar dhe vlerësuar mundësia e ngritjes së një Bordi të Përhershëm të Transparencës, i cili do të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme çmimet e hidrokarbureve, por kjo çështje është ende në vlerësim. Lidhur me uljen e TVSH-së për ushqimet nga 20% në 6%, do të shohim se si do të ndryshojnë çmimet përgjatë gjithë zinxhirit, nga prodhuesi apo importuesi deri te konsumatori, si dhe nëse reduktimi i TVSH-së do të reflektohet në çmimin final”, tha Malaj.

Ndërkohë, për sektorin e hotelerisë dhe turizmit, Malaj deklaroi se Shqipëria ka propozuar një normë TVSH-je prej 10%, ku sipas tij, është më e ulët krahasuar me disa vende të rajonit që kanë turizëm më të zhvilluar. Një tjetër çështje e diskutuar ishte formalizimi i tregut të apartamenteve që jepen me qira përmes platformave Airbnb dhe Booking.

Malaj bëri të ditur se, pas marrëveshjeve të lidhura me këto platforma për shkëmbimin e informacionit, qeveria synon të sigurojë edhe të dhëna automatike nga bankat për të ardhurat që individët përfitojnë nga këto aktivitete. Malaj theksoi se po punohet për mekanizma të rinj që synojnë identifikimin e të ardhurave të padeklaruara dhe formalizimin e këtij tregu.

“Për sa i përket TVSH-së në hotele dhe në sektorin e turizmit, ne kemi vendosur një normë prej 10%, më të ulët krahasuar me vendet e rajonit që kanë një turizëm shumë më të zhvilluar. Efekti financiar i kësaj norme TVSH-je është minimal, rreth 560 milionë lekë. Lidhur me Airbnb, ky është një shqetësim që po përpiqemi ta adresojmë prej vitesh. Vetëm një vit më parë arritëm të lidhnim marrëveshje me Airbnb dhe Booking, për të marrë informacion lidhur me të ardhurat që realizojnë këto platforma në Shqipëri, por edhe për të ardhurat që përfitojnë personat që japin apartamentet me qira. Ne do të kërkojmë informacion automatik nga bankat për të ardhurat që individët përfitojnë nga këto platforma, por jo vetëm, edhe nga Instagram, Facebook etj. Në momentin që do të marrim këtë informacion nga bankat, do të jemi në gjendje të kryqëzojmë të ardhurat që deklarojnë këta individë dhe ato që deklarojnë platformat.

Gjithashtu, në ligjin për taksat vendore do të vendosim një taksë për apartamentet që janë bosh. Pronarët do të jenë të detyruar ose të deklarojnë se e japin pronën me qira afatshkurtër, ose ta deklarojnë atë si të pabanuar. Nëse e deklarojnë bosh, por në fakt e përdorin për dhënie me qira, do të paguajnë taksën mbi pronën. Po punojmë me disa mekanizma, tha Malaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme