Rritet numri i të imtave në Lunxhëri, ky është momenti më i vështirë, por edhe i bukur i vitit

Bujqësi | 11 muaj më parë

Për blegtorinë, kjo periudhë shënon momentin më të ndjeshëm të vitit, atë të shtimit të të imtave. Si pasojë, ato kërkojnë kujdes të shtuar. Blegtorët e zonës së Lunxhërisë, në Bashkinë Gjirokastër, i kanë zbritur tufat nga mali drejt staneve për t’u kujdesur gjatë këtij procesi të rëndësishëm.

“Është koha e shtimit tani dhe duhet kujdes, duhen ushqyer patjetër. Vendi duhet të jetë i ngrohtë”, tha blegtori

Blegtorët thonë se ky ka qenë një vit i mbarë për prodhimin e të imtave. Sipas tyre, kërkesa ka qenë e lartë, pavarësisht se baxhoxhinjtë shpesh kërkojnë produktin me çmime më të ulëta. Interes për produktet e tyre, si qumështi, djathi apo mishi, po tregojnë edhe turistët e huaj që vizitojnë zonën.

“Mishin, qumështin, por nuk u pëlqejnë çmimet. Sigurisht që e duan dhe të huajt, kujt nuk i shijon një sheleg në hell. E tregtojmë në baxho në Sarandë”, tha blegtori.

Me gjithë sfidat e përditshme, blegtorët e Lunxhërisë vijojnë të ruajnë traditën dhe të furnizojnë tregun me produkte cilësore. Ata shpresojnë që institucionet dhe tregu t’i mbështesin më shumë, në mënyrë që kjo veprimtari e hershme të vazhdojë të jetë një burim sigurie dhe zhvillimi për zonën.

Gazetare B.Pëllumbi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme