Salla në Himarë: Bujqësia dhe turizmi, boshti i zhvillimit të qëndrueshëm të zonës

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një bashkëbisedim me operatorë turistikë, fermerë dhe përfaqësues të biznesit lokal në Himarë, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i bashkisë, Vangjel Tavo. Takimi u fokusua tek sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të zonës, duke vënë theksin tek lidhja e ngushtë mes turizmit dhe bujqësisë.
Ministri Salla e cilësoi Himarën si një nga pasuritë natyrore më të çmuara të vendit, me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të qëndrueshëm.
“Turizmi i qëndrueshëm ndërtohet mbi produktet lokale dhe bashkëpunimin e ngushtë mes fermerëve, komunitetit dhe biznesit,” u shpreh ai, duke theksuar se strategjia “Bujqësia 2030” ka në qendër forcimin e prodhimit vendas, rritjen e sigurisë ushqimore, adoptimin e teknologjisë së gjelbër dhe zhvillimin e zonave rurale në mbështetje të ekonomisë lokale.
Sipas ministrit, për Himarën kjo strategji përkthehet në mbështetje për fermerët e vegjël, promovim të produkteve autentike të zonës, nxitje të agroturizmit dhe diversifikim të aktiviteteve rurale, si dhe investime në ujitje dhe infrastrukturë bujqësore.
“Sfida për vitin 2026 është kthimi i këtyre mësimeve dhe përvojave në politika konkrete që i shërbejnë komunitetit dhe ekonomisë lokale,” shtoi Salla.
Ai shprehu bindjen se vizioni i ndërtuar bashkë me aktorët lokalë do ta kthejë Himarën në një shembull të zhvillimit të qëndrueshëm në vend.
“Jam i bindur se Himara, me potencialin e saj të jashtëzakonshëm dhe vizionin që po ndërtojmë së bashku, do të vazhdojë të jetë një shembull zhvillimi në vend,” tha ministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





