Sektori i peshkimit, ministria e Bujqësisë prezanton rregullat e reja për standardet e tregtimit dhe çfarë ndryshon për konsumatorin

Bujqësi | 9 muaj më parë

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hedhur për konsultim publik një projektvendim që pritet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si tregtohet peshku dhe produktet e akuakulturës në Shqipëri.

Nëse deri më sot blerja e peshkut shpesh shoqërohej me paqartësi mbi origjinën, rregullat e reja e bëjnë etiketimin e detyrueshëm dhe shumë të hollësishëm.

Çdo produkt që shitet në markete, por edhe ai që konsumohet në shkolla, spitale apo mensa, duhet të tregojë emrin tregtar dhe shkencor të species, metodën e prodhimit, i zënë në egërsi apo i rritur në vaskë, zonën e zënies, deti specifik apo rajoni i kultivimit, mjetet e peshkimit, lloji i rrjetës apo pajisjes së përdorur, si dhe informacion nëse produkti është shkrirë më parë.

Fuqizimi i peshkatarëve përmes “Organizatave Prodhuese”

Një nga pikat më të forta të projektvendimit është krijimi i Organizatave të Prodhuesve (OP). Këto nuk do të jenë thjesht shoqata, por instrumente ekonomike që do të menaxhojnë ofertën për të shmangur mbiprodhimin që ul çmimet.

Përmes një mekanizmi ruajtjeje kur ka tepricë, produkti tërhiqet përkohësisht nga tregu për t’u rikthyer kur kërkesa rritet.

Çdo organizatë duhet të dorëzojë në Ministri një plan vjetor se sa do të prodhojë dhe ku do t’i shesë produktet e saj.

Standardet e tregtimit

Projektvendimi përcakton se produktet që nuk plotësojnë standardet për konsum njerëzor (p.sh. për shkak të madhësisë ose dëmtimeve) nuk do të hidhen më në det.

Ato do të orientohen drejt industrisë alternative si ushqim për kafshë, suplemente farmaceutike apo kozmetikë.

Projektvendimi është aktualisht në fazën e konsultimit publik. Të gjithë aktorët e interesuar, nga peshkatarët individualë deri te përpunuesit e mëdhenj, kanë mundësi të dërgojnë sugjerimet e tyre përpara se ky vendim të miratohet në Këshillin e Ministrave. Zbatimi i tij do të mbikëqyret nga Ministria e Bujqësisë dhe Inspektorati i Peshkimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme