Sezoni i ullirit me rendiment të ulët, shiu i pranverës dëmtoi prodhimin. Cilësia mbetet e garantuar

Bujqësi | 1 vit më parë

Në prag të sezonit të vjeljes së ullirit, ekspertë dhe kultivues parashikojnë ulje të ndjeshme të rendimentit. Shkak duket se është bërë moti i papërshtatshëm i pranverës së shkoi, që sipas kultivuesve të ullirit, dëmtoi pemët në kohën që lulëzonin.

Lefter Tabaku ka 500 rrënjë ullinj në Mallakastër dhe thotë se prodhimi këtë vit pritet të jetë 40% më i ulët.

“Ndikuan shirat që ra në kohën e lulëzimit”, tha ai.

Në pritje të një rendimenti të ulët, fermerët parashikojnë rritje të çmimit të vajit të ullirit, por edhe shitjen e sasisë që mbeti stok sezonin e kaluar pas rënies së eksporteve.

“Unë në shtëpinë time kam një ton vaj dhe shpresoj që të na dali eksporti që ta shesim”, tha Tabaku.

Ndikimi i kushteve klimaterike këtë vit përkon me uljen e prodhimit për shkak të natyrës periodike të pemës së ullirit. Ekspertët e bujqërisë gjithsesi bëjnë thirrje për kryerjen e shërbimeve në plantacionet me ullinj, me qëllim maksimizimin e prodhimit për vitin pasardhës.

“Sivjet është më dobët në krahasim me vitet e tjera, Unë këshilloj të marrin masa spër ujëmbledhësat, pastrimin e parcelave dhe plehërimin organik”, tha eksperti i bujqësisë Ladi Pashai.

Në qarkun e Fierit numërohen rreth 2.9 milionë rrënjë ulliri, të përqendruara kryesisht në Cakran, Dushk, Kurjan, Fiershegan, Frakull dhe Mallakastër.

Më i përhapuri është varieteti kaninjot me rreth 50% të sipërfaqes, pasuar nga Frantoi (20%), Koronek (10%), ndërsa Lecino, Kripsi i Beratit zënë nga 5% secili.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme