Sherr mes dy personave në një lokal në Durrës, plagoset me armë zjarri një 50-vjeçar

Aktualitet | 44 minuta më parë

Një plagosje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Durrësit.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 1, në shëtitoren “Taulantia”, ku dy persona janë konfliktuar me njëri-tjetrin në ambientet e një lokali. Gjatë debatit, njëri prej tyre ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar me armë zjarri, duke plagosur personin tjetër.

I plagosuri, rreth 50 vjeç, është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Durrësit, ku po merr ndihmën mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Policia vijon hetimet për të përcaktuar shkaqet e konfliktit dhe dinamikën e plotë të plagosjes.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme