Zbardhet itinerari i kontejnerit me drogë, autoritetet belge dyshojnë se ngarkesa lidhet me një grup kriminal shqiptar
Një grup kriminal shqiptar i goditur në Belgjikë dyshohet se qëndron pas 41 kilogramëve kokainë të kapura në Portin e Durrësit. Autoritetet belge, në bashkëpunim me SPAK, kanë rindërtuar edhe itinerarin e kontejnerit frigoriferik, që transportonte mish pule dhe që dyshohet se shërbeu për fshehjen e drogës.
Ngarkesa u nis nga Brazili më 5 gusht dhe kaloi përmes portit të Tangerit në Marok dhe më pas Pireut në Greqi, përpara se të mbërrinte në Durrës më 12 shtator. Kontejneri ndërroi tre anije gjatë rrugës, ndërsa kokaina u gjet më 14 shtator, e fshehur në pjesën e jashtme të motorit dhe e ndarë në 37 blloqe.
Hetimi belg ka çuar në arrestimin e 8 personave, mes tyre 48-vjeçari shqiptar Arben U., i dyshuar si ndërmjetës mes grupeve shqiptare dhe rrjeteve të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës dhe Australisë.
Sipas autoriteteve belge, grupi dyshohet se ka lidhje edhe me dërgesën e kapur në Durrës. Në hetim është përmendur edhe Gerd Gjinarari, i arrestuar në Belgjikë, por deri tani nuk ka një lidhje zyrtare të tij me këtë sasi droge.
Ndërkohë, SPAK nuk ka bërë ende publike detaje mbi mënyrën se si u zbulua ngarkesa apo personat që dyshohet se qëndrojnë pas saj.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




