“U rrëzuan akuzat për krime kundër njerëzimit”, Vuçiç për vendimin e ish-krerëve të UÇK-së: Nuk është përfundimtar

Serbi | 44 minuta më parë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në një fjalim drejtuar publikut, Vuçiç tha se nuk ka asgjë më të rëndësishme për Serbinë sesa ruajtja e paqes dhe stabilitetit.

“U bë shumë padrejtësi, por edhe se të gjithë ne së bashku nuk ishim mjaftueshëm të gatshëm për t’u përballur me gabimet tona dhe krimet që u kryen në emrin tonë”, tha Vuçiç.

Duke iu referuar vendimit të dhënë në Hagë, presidenti serb e cilësoi atë si një vendim të një gjykate që, sipas tij, është krijuar për Kosovën.

Vuçiç deklaroi gjithashtu se gjykata, sipas tij, nuk kishte vërtetuar ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik ndaj popullsisë civile, duke pretenduar se kjo lidhej me ruajtjen e besueshmërisë së UÇK-së.

“Ata nuk donin, si gjykatë e të ashtuquajturës Kosovë, të shkatërronin besueshmërinë e UÇK-së ose të të ashtuquajturës Ushtri Çlirimtare të Kosovës dhe sigurisht që nuk hynë në thelb të çështjes që kishte të bënte me formimin e forcave për shkëputjen e Kosovës nga Republika e Serbisë dhe Republika Federale e Jugosllavisë në atë kohë”, tha Vuçiç.

Ai tha se aktakuza përmbante 10 akuza, ndërsa krimet kundër njerëzimit përfshiheshin në gjashtë prej tyre. Katër ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, u shpallën fajtorë për disa krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme