Shkodra premtuese për një sezon të suksesshëm, Kalaja dhe Muzeu Historik më tërheqësit, mbi 65 mijë vizitorë në 5 muaj

Turizëm | 4 muaj më parë

Shkodra po përjeton një fillim premtues të sezonit turistik. Duke u rikonfirmuar si një nga destinacionet më të preferuara në veri të vendit. Në rrugët dhe sheshet e qytetit vërehen çdo ditë grupe të shumta turistësh të huaj, ndërsa fundjavat sjellin një fluks edhe më të lartë vizitorësh  nga vende të ndryshme që vlerësojnë, atmosferën e qytetit, si dhe mundësin që ofron Shkodra për të kombinuar në një destinacion të vetëm natyrën, kulturën dhe historinë.

“Jemi nga Izraeli. Kemi ardhur këtë javë për vizitë në Shqipëri. Vend shumë i bukur. Po na pëlqen shumë Shkodra, mikpritja, qetësia, natyra dhe gjithçka”, u shpreh një turiste.

“Përshtypjet e mia të para janë për njerëzit shumë miqësorë. Jemi që dje në Shkodër dhe po kalojmë shumë mirë”, tha një tjetër turiste.

“Jam nga Barcelona. Ës hera e parë që vij në Shqipëri. Do qëndrojmë dy ditë në Shkodër. Por na pëlqen shumë qyteti. Sot do të vizitojmë kalanë, muzetë dhe liqenin”, tha turistja.

Një ndër pikat më të frekuentuara mbetet Muzeu Historik i Shkodrës, i cili ofron një panoramë të gjerë të së kaluarës së qytetit përmes objekteve autentike dhe elementeve etnografike që dëshmojnë identitetin.

“ Vij nga Holanda. Është hera e parë që jemi në Shqipëri. Ky është një muze shumë interesant. Është ndërtuar bukur. Më pëlqen në veçanti seksioni i arkeologjisë dhe etnografisë pasi jam dhe studiues i kësaj fushë”, tha një tjetër turist.

Shkodra nuk mbetet vetëm një destinacion i sezonit veror. Historia e saj, trashëgimia kulturore dhe rrjeti i muzeve e kthejnë qytetin në një pikë tërheqëse për turistët gjatë gjithë vitit. Parku Arkeologjik i Shkodrës, me qendër Kalanë e Rozafës, është ndër destinacionet më të vizituara në Shqipëri, duke regjistruar mbi 65 mijë vizitorë në pesë muajt e parë të këtij viti.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme