“Shkolla të Pastra”/ Shisnin drogë pranë shkollave në Tiranë dhe i shpërndanin me monopatina, taksi e delivery , 31 të arrestuar dhe 14 në kërkim
Një operacion i gjerë antidrogë është finalizuar në Tiranë pas katër muajsh hetime. Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ka zhvilluar operacionin e koduar “Shkolla të Pastra”, duke goditur disa grupe që dyshohet se shisnin lëndë narkotike pranë shkollave dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Sipas policisë, gjatë hetimeve janë identifikuar 52 shtetas, të cilët, të veçuar ose në grupe, dyshohet se merreshin me shitjen e lëndëve narkotike të llojeve të ndryshme.
Në kuadër të operacionit janë ekzekutuar 31 masa sigurie “Arrest në burg”, ndërsa 14 shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim. Shtatë persona të tjerë janë arrestuar gjatë fazës hetimore.
Nga hetimet është dokumentuar se grupet e goditura shisnin lëndët narkotike pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe në zona të ndryshme të Tiranës.
Në disa raste, për të shmangur vëmendjen e policisë, shpërndarja e lëndëve narkotike kryhej përmes monopatinave, shërbimeve taksi dhe delivery.
Policia vijon punën për kapjen e 14 personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.
“Në kuadër të operacionit të koduar “SHKOLLA TË PASTRA”, u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg” për 31 shtetas dhe konkretisht:
J., 48 vjeç; E. B., 34 vjeç; E. O., 48 vjeç; B. K., 41 vjeç; E. V., 27 vjeç; D. Sh., 30 vjeç; A. K., 32 vjeç; E. H., 29 vjeç; J. N., 29 vjeç; Sh. Ç., 45 vjeç; E. H., 39 vjeç; E. M., 21 vjeç; F. P., 22 vjeç; K. M., 22 vjeç; R. T., 19 vjeç; K. M., 33 vjeç; I. D., 35 vjeç; F. Xh., 36 vjeç; B. M., 22 vjeç; I. A., 21 vjeç; A. L., 21 vjeç; S. A., 31 vjeç; E. T., 49 vjeç; A. P., 34 vjeç; V. M., 43 vjeç; D. M., 52 vjeç; E. P., 33 vjeç; N. Sh., 32 vjeç; A. K., 37 vjeç; T. A., 24 vjeç dhe V. R., 23 vjeç.
Gjatë fazës hetimore janë ndaluar dhe 7 shtetas të tjerë, konkretisht shtetasit K. C., G. M., Zh. P., E. T., D. Sh., D. F. dhe M. T.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu janë sekuestruar 1 kilogram e 75 gramë heroinë, 1 kilogram e 265 gramë kokainë dhe 685 gramë Cannabis Sativa, një armë zjarri pistoletë, 90 fishekë, dy peshore elektronike, 12 automjete, 35 telefona celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




