“Shtigjet e Devollit” nisma më e re e Qendrës Rinore për promovimin e zonës

Turizëm | 3 muaj më parë

Me synimin për të nxitur njohjen dhe promovimin e vlerave natyrore, kulturore dhe turistike të krahinës së Devollit, Qendra Rinore Devoll ka ndërmarrë nismën më të re “Shtigjet e Devollit”. Kjo nismë synon të përfshijë të rinjtë në eksplorimin e fshatrave, shtigjeve natyrore, monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe pikave të veçanta turistike që ofron zona.

Përmes ecjeve, vizitave dhe aktiviteteve në terren, të rinjtë kanë mundësinë të njohin më nga afër historinë, traditat dhe bukuritë natyrore të Devollit, duke u bërë njëkohësisht ambasadorë të promovimit të tyre. Në itineraret e zhvilluara deri tani janë përfshirë destinacione të ndryshme të krahinës, duke zbuluar peizazhe mbresëlënëse, vende me histori dhe tradita të pasura që meritojnë të njihen më gjerësisht.

“Shtigjet e Devollit është nisma më e re e ndërmarrë nga sektori i rinisë dhe sporteve në bashkinë Devoll, e cila ka për qëllim jo vetëm të nxisë aktivitetin fizik tek të rinjtë, por dhe t’i njohë ata me historinë, objektet kulturore, atraksionet, peizazhe natyrore, vlerat dhe veçoritë që zona mbart, por dhe t’i promovojë ato”, u shpreh Gjegji Liço, Përgjegjës i Rinisë dhe Sporteve, Bashkia Devoll.

Nisma synon të vazhdojë gjatë gjithë vitit, duke krijuar një hartë të gjallë të atraksioneve të Devollit dhe duke promovuar turizmin lokal përmes angazhimit të të rinjve.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme