Shtrëngohen masat në peshkim, miratohet metodologjia e re e gjobave për shkeljet mjedisore dhe procedurale

Bujqësi | 3 muaj më parë

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka ndërmarrë një hap ligjor për unifikimin e sanksioneve në sektorin e peshkimit, përmes miratimit të një udhëzimi të ri që përcakton udhërrëfyesin zyrtar të gjobave. Udhëzimi nr. 11, i datës 4 qershor 2026, i firmosur nga ministri Andis Salla, vjen si një përpjekje për të eliminuar subjektivizmin e inspektorëve në terren dhe për të vendosur një sistem më transparent penalizimesh ndaj subjekteve fizike dhe juridike.

Ky akt nënligjor, i cili bazohet në ligjin “Për peshkimin”, detajon vlerat monetare të gjobave për një sërë shkeljesh administrative, që nga peshkimi i specieve të ndaluara e deri te ndotja e habitateve apo peshkimi pa leje i anijeve të huaja.

“Ky udhëzim ka për qëllim miratimin e metodologjisë që siguron zbatimin e drejtë, të qartë dhe të unifikuar të masave administrative duke krijuar një sistem të drejtë dhe transparent për adresimin e kundërvajtjeve,” thuhet në nenin 1 të dokumentit të zbardhur në Fletoren Zyrtare nr. 133.

Kriteret e reja dhe penalitetet progresive

Metodologjia e re nuk do të aplikohet në mënyrë uniforme për çdo shkelje. Sipas rregullave të reja, në rastet kur ligji parashikon gjoba me vlerë fikse, ato do të zbatohen drejtpërdrejt. Ndërsa për ato shkelje ku ka hapësirë vlerësimi, inspektorati do të bazohet në kritere specifike si shkalla e dëmit mjedisor, sasia e zënies, përsëritja e shkeljes dhe kryerja e aktivitetit në zona të mbrojtura.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar mbrojtjes së ekosistemit ujor. Për shkeljet që lidhen me hedhjen e mbetjeve apo dëmtimin e habitateve në zonat e mbrojtura, sanksionet nisin nga 400,000 lekë për dëmtimet e lehta dhe arrijnë deri në 2 milionë lekë në raste të përsëritura të ndotjes masive. Ndërtimi i strukturave industriale pa autorizim në këto zona do të ndëshkohet me gjobën maksimale prej 3,000,000 lekësh.

Edhe zënia e peshqve të paarrirë (nën përmasat ligjore) do të penalizohet në mënyrë progresive në bazë të përqindjes që ata zënë në totalin e ngarkesës:

“Për peshqit e zënë të paarrirë nga 10–20% e totalit të zënieve: gjoba 100,000 lekë; [ndërsa] mbi 40% e totalit të zënieve: gjoba 1,000,000 lekë,” saktëson neni 6 i udhëzimit.

Goditje e rëndë përdorimit të lëndëve plasëse dhe peshkimit të paligjshëm të huaj

Korniza e re ndëshkimore tregon një qasje mjaft të ashpër ndaj praktikave shkatërruese të peshkimit. Përdorimi i substancave toksike, lëndëve narkotike apo pajisjeve elektrike dhe eksplozivëve do të dënohet automatikisht me gjobë prej 2,500,000 lekësh.

Po ashtu, akti vendos barriera të forta financiare për anijet e huaja që operojnë ilegalisht në ujërat shqiptare. Për aktivitet të paautorizuar në zonën ekskluzive ekonomike, gjobat për mjetet e huaja lundruese variojnë sipas fuqisë motorike, duke arritur kulmin në 5,000,000 lekë për anijet me fuqi mbi 500 kw.

Sakaq, dokumenti zbardh edhe listën e gjobave fikse për zënien e specieve të mbrojtura. Çdo incident që përfshin gjitarët e detit (balenat, delfinët, fokat), breshkat e detit, blinjtë apo peshkaqenët do t’u kushtojë shkelësve 1,000,000 lekë për çdo rast. Dokumenti ligjor hyn në fuqi menjëherë pas botimit të tij në Fletoren Zyrtare, duke ngarkuar Inspektoratin e Peshkimit për zbatimin e rreptë të këtyre masave në terren.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme