Skema Kombëtare e Investimeve 2025, në Gjirokastër interes për modernizimin e mekanikës bujqësore
Në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, fermerët në qarkun e Gjirokastrës kanë filluar të tregojnë një interes gjithnjë e më të madh për të përfituar nga fondet mbështetëse që ofron kjo nismë.
Skema vjen me një fond prej 20 milionë eurosh, e ndarë në 9 masa mbështetëse, duke ofruar mundësi të gjera për zhvillim dhe rritje të kapaciteteve prodhuese.
Sipas specialistëve të bujqësisë, disa prej masave kanë rezultuar më tërheqëse për aplikuesit, veçanërisht ato që lidhen me modernizimin e infrastrukturës bujqësore dhe investimet në sektorin e blegtorisë.
“Është hapur thirrja që në 30 korrik dhe mbyllet në 30 shtator. Janë disa masa me mjaft interes për fermerët e rajonit tonë, si masa për mbjellje drufrutorësh; masa për ujitje me pika në blloqe me drufrutorë; masa për mbështetje për makineri bujqësore, traktorë, agregatë dhe pajisje; masa për vendosjen e rrjetave antibreshër; mbështetja për ndërtimin e ambienteve të strehimit për blegtori; masa për blerjen e pajisjeve, për ambalazhimin dhe paketimin e prodhimit të fruta-perimeve; dhe masa për mbështetjen e agroturizmit. Janë dy masa për të cilat ka pak interes: masa për ndërtimin e serrave, ndërsa masa e akuakulturës është pothuajse e përjashtuar,” thotë specialisti i bujqësisë, Balil Bineri.
Skema i jep mundësinë çdo aplikanti të përfitojë nga më shumë se një masë, duke ndërtuar një plan investimi të personalizuar që i përgjigjet nevojave konkrete të fermës apo sipërmarrjes.
Gazetare: Leonida Koçiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





