Skema Kombëtare e Investimeve 2025, në Shkodër mbi 200 fermerë të interesuar në javën e parë të aplikimeve

Bujqësi | 1 vit më parë

Skema Kombëtare e Investimeve në Bujqësi ka nxitur interesin mes fermerëve të qarkut të Shkodrës për t’u përfshirë në procesin e aplikimit.

Sipas të dhënave nga drejtoritë vendore të AZHBR-së dhe Agjencitë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor (AREB), vetëm gjatë javës së parë të nisjes së aplikimeve, mbi 200 fermerë janë interesuar për të marrë informacion mbi procedurat dhe kriteret për përfitim nga skema.

“Fermerët kanë interes. Kemi 200 e ca fermerë që kanë shprehur gatishmërinë për të aplikuar këto masa. Interesi duhet të jetë më i madh, sepse favoret në këtë Skemë Investimesh janë më të mëdha se asnjëherë,” shprehet specialisti Sherif Brahaj nga AREB Shkodër.

Nga gjithsej nëntë masa mbështetëse që ofron kjo skemë për vitin 2025, interesi më i madh i fermerëve të qarkut të Shkodrës deri tani është përqendruar në sektorin e serave dhe të frutikulturës.

“Interesi më i madh është në përsosjen e mekanizimit të proceseve të punës në bujqësi, mbjellja e pemëtoreve të reja, ndërtimi i stabilimenteve për rritjen e shpendëve,” tregon z. Brahaj.

Megjithatë, nisur nga përvoja e viteve të kaluara, një pjesë e madhe e fermerëve të qarkut të Shkodrës mbetet jashtë skemave të subvencionimit për shkak të mosplotësimit të disa prej kritereve bazë.

“Mungesa e pronësisë mbi tokën, toka e fragmentizuar, sipërfaqet e vogla të tokës, mosbashkimi i fermerëve në shoqata ose grupe fermerësh, këto i penalizojnë shumë fermerë,” thotë specialisti.

Aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve për këtë vit do të jenë të hapura deri më 30 shtator. Kjo skeme ofron mbështetje financiare në formë grantesh deri në 50% të vlerës së investimit, si dhe kredi të buta me normë interesi vetëm 2% për fermerët, agropërpunuesit dhe sipërmarrësit e agroturizmit.

Gazetar: Adrian Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme