Skemat mbështetëse nxitje për blegtorinë, në qarkun e Shkodër rritje e interesit për zgjerimin e fermave
Skemat mbështetëse të qeverisë për blegtorinë po japin sinjale pozitive edhe në qarkun e Shkodrës. Interesi i fermerëve për të zgjeruar fermat dhe për të rritur kapacitetet prodhuese është shtuar, veçanërisht në zonat rurale ku blegtoria mbetet një nga burimet kryesore të të ardhurave për familjet. Sipas drejtuesve të këtij sektori në shkallë qarku, shumë blegtorë po shohin mundësinë e shtimit të numrit të krerëve, modernizimit të stallave dhe përmirësimit të racave.
“Gradualisht shoh që ka një tendencë për kalimi nga fermat e vogla me një dy krah zgjedh në ferma më të mëdha. Janë krijuar disa ferma model. Një pjesë e kontributit për shtimin e numrit të krerëve ose për rikthimin e numrit të krerëve pas një rënie të madhe që patë vitet e kaluara është edhe fakti që edhe skemat mbështetës të ndërmarrë nga qeveria e kanë krijuar hapësirën e duhur që fermerët të kenë interes”, u shpreh Mark Preci, Drejtues i Shërbimit Veterinar, Qarku Shkodër.
Në Bashkinë Malësi e Madhe, e njohur për traditën e saj në mbarështimin e bagëtive, autoritet bëjnë te ditur se administrata vendore po bashkëpunon me institucionet përgjegjëse për të orientuar fermerët në procesin e aplikimit dhe përfitimit nga skemat mbështetëse, duke theksuar se zhvillimi i blegtorisë përbën një prioritet për ekonominë lokale dhe një mundësi për të frenuar braktisjen e zonave rurale.
“Ka një shtrirje më të gjerë blegtoria në këto zona dhe besoj duke pasur parasysh edhe përfshirjen në subvencionimet e këtij viti për dy vitin pra 2026 besoj se do të do të jetë një fushë më e zgjeruar dhe fermeri duhet ta gjejnë veten tek blegtoria”, tha Sytki Ndrecaj, Zëvendëskryetar i Bashkisë Malësi e Madhe.
Ndërkohë blegtoret dhe specialistë të sektorit kërkojnë që mbështetja të jetë e vazhdueshme dhe të shoqërohet me politika që garantojnë treg të sigurt për produktet vendase, për të garantuar zhvillim afatgjatë dhe rritje të qëndrueshme të blegtorisë në qarkun e Shkodrës
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





