Takimi Bajden-Zelenski, SHBA ndihmë të re prej 225 milionë dollarësh për Kievin

Botë | 2 vite më parë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Xho Bajden (o. Joe Biden) u takua në Paris me Presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski (o. Volodymyr Zelensky), ku njoftoi një paketë të re ndihme ushtarake prej 225 milionë dollarësh për Kievin.

Z. Bajden i kërkoi për herë parë publikisht falje Ukrainës për vonesën prej disa muajsh të ndihmës ushtarake amerikane që i dha mundësi Rusisë të shënonte përparim në fushëbetejë, ndërsa Presidenti ukrainas bëri thirrje për mbështetje dypartiake ndaj Shteteve të Bashkuara, “njësoj si gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Duke folur në kryeqytetin francez, ku të dy morën pjesë në ceremonitë për 80-vjetorin e Zbarkimit të Aleatëve në Evropë, z. Bajden i kërkoi ndjesë popullit ukrainas që për javë me radhë nuk e dinin nëse vendi do të merrte ndihmë pasi republikanët konservatorë në Kongres bllokuan ndihmën ushtarake për Ukrainën prej 61 miliardë dollarësh për 6 muaj me radhë.

Megjithatë presidenti Bajden këmbënguli se populli amerikan ishte në krah të Ukrainës. “Dhe vazhdojmë t’ju përkrahim. Plotësisht. Në mënyrë të gjithanshme”, tha ai. Z. Zelenski falenderoi popullin amerikan për mbështetjen dhe po ashtu edhe ligjvënësit të cilët u bënë bashkë për të miratuar paketën e ndihmës që i dha mundësi Ukrainës të frenonte Rusinë të shënonte përparime gjatë javëve të fundit.

“Është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i gjithë populli amerikan të qëndrojë krah Ukrainës si gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha z. Zelenski. “Njësoj si atëherë kur Shtetet e Bashkuara ndihmuan për të shpëtuar jetë njerëzore, për të shpëtuar Evropën. Ne presim mbështetjen tuaj të vazhdueshme për të qëndruar krah për krah nesh”, tha z. Zelenski.

Paketa e re e ndihmës ushtarake prej 225 milionë dollarësh e Shteteve të Bashkuara për Kievin përfshinë municion për sistemin e artilerisë reketore me levizshmëri të shpejtë, ose HIMARS, sisteme mortajash dhe sasi të mëdha predhash artilerie.

Presidentët Bajden dhe Zelenski morën pjesë në ceremonitë për 80-vjetorin e Zbarkimit të Aleatëve në Evropë, në Normandi, në Francën veriore, së bashku me udhëheqësit evropianë që kanë mbështetur përpjekjet e Kievit në luftë.

Në një fjalim 20-minutësh të premten në Asamblenë Kombëtare, dhoma e ulët e parlamentit francez, Presidenti Zelenski hoqi paralele me sakrificat e bëra gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe luftën aktuale të vendit të tij.

“Kjo betejë është një udhëkryq,” tha z. Zelenski. “Një moment kur mund ta shkruajmë historinë ashtu siç duhet. Ose të bëhemi viktima të historisë siç i përshtatet … armikut tonë”.

Sipas VOA

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme