Të hënën mbyllen aplikimet në UAlbania, Universiteti “Çabej” fton maturantët që ta përzgjedhin
Kur na ndan vetëm një ditë nga mbyllja e afatit të aplikimeve në portalin UAlbania, përfaqësues të Universitetit “Eqrem Çabej” në Gjirokastër kanë ftuar maturantët që të bëjnë një zgjedhje të menduar mirë dhe t’i japin prioritet këtij universiteti, pasi ky institucion akademik ofron programe studimi të akredituara dhe një ambient arsimor të sigurt e cilësor.
Specialistja e promovimit institucional, Brikena Metaj, thotë se Universiteti “Eqrem Çabej” ofron mundësi reale zhvillimi profesional dhe personal përmes një stafi akademik të përkushtuar dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare.
“Ne ftojmë të gjithë që të konsiderojnë Universitetin ‘Eqrem Çabej’ këtu në Gjirokastër si një zgjedhje cilësore dhe të besueshme, një universitet me traditë, me staf të përkushtuar dhe me programe që lidhen drejtpërdrejt me tregun e punës, gjithashtu me mundësi konkrete për praktika, mobilitet, zhvillim profesional,” thotë znj. Metaj.
Universiteti “Eqrem Cabej” ofron programe që përfshijnë fusha të tilla, si Edukimi, Shkencat Sociale, Ekonomia, Gjuhët e Huaja, Shkencat e Natyrës dhe Infermieria, si dhe mundësi për mobilitet nëpërmjet Erasmus+, që lejon studentët të studiojnë për një semestër jashtë vendit.
Aplikimet në portalin UAlbania përfundojnë në datën 3 gusht, ndaj maturantët janë të ftuar të përfitojnë nga kjo mundësi dhe ta bëjnë Universitetin “Eqrem Çabej” pjesë të së ardhmes së tyre akademike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





