Tepelenë, nis kujdesi për ullinjtë dhe vreshtat, specialisti: Pritet një sezon me prodhim të mirë

Bujqësi | 3 muaj më parë

Fermerët në rrethin e Tepelenës kanë nisur punimet për mirëmbajtjen e kulturave të ullirit dhe vreshtarisë, në një periudhë të rëndësishme për ecurinë e prodhimit. Sipas specialistëve të bujqësisë, kushtet klimatike dhe vëzhgimet e kryera deri tani në terren tregojnë se pritet një sezon i mbarë për të dyja kulturat.

Në këtë fazë, specialistët rekomandojnë monitorimin e vazhdueshëm të parcelave dhe ndërhyrjen e menjëhershme me trajtimet e nevojshme në rast të shfaqjes së sëmundjeve apo dëmtuesve, për të shmangur dëmtimin e prodhimit.

“Tani tek rrushi po kryejnë shërbimin e spërkatjes nga vrugu dhe hiri dhe te ulliri është momenti i lidhjes së kokrrës dhe i bëjnë shërbimet e domosdoshme. Bëjnë edhe shërbime me spërkatje, por ne i kemi këshilluar që spërkatja të bëhet në momentin e duhur, kur shfaqet sëmundja ose kur shfaqet dëmtuesi”, tha Fetah Hoxha, specialist i bujqësisë në Tepelenë.

Ata theksojnë  se këshillimi me agronomët ndihmon fermerët të zgjedhin pesticidet e duhura dhe të shmangin përdorimin e pakontrolluar të tyre.

“Duhet të paraqiten tek specialistët, tek zyra jonë për të marrë konsulencën e duhur dhe për të parë se në çfarë faze është përhapur sëmundja dhe çfarë pesticidi do t’i rekomandojmë. Nga informacione deri tani nuk kemi patur ndonjë shfaqje të sëmundjeve. Mund të fillojë vrugu tek te rrushi. Po thashë është shumë pak, koha është mirë. Premtojmë për një prodhim të bollshëm sivjet tek ulliri dhe tek vreshti”, theksoi ai.

Në Tepelenë, ullinjtë dhe vreshtat zënë një sipërfaqe të konsiderueshme të tokës bujqësore dhe përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për fermerët.

Gazetare: Enkeleda Domeri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme