Tërmeti i fuqishëm në Japoni, disa persona rezultojnë të zhdukur pas shembjes së oxhakut në një fabrikë letre. Raportohen më shumë se 60 pasgoditje

Azi | 2 muaj më parë

Disa persona rezultojnë të zhdukur pas shembjes së një oxhaku në fabrikën e industrisë së letrës Nippon Paper Industries Yatsushiro, në prefekturën Kumamoto të Japonisë, pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.1 që goditi zonën.

Sipas transmetuesit publik japonez NHK, i cili citon burime nga stacioni policor i Yatsushiros, autoritetet kanë nisur kontrollet në impiant, ndërsa policia dhe zjarrfikësit po hetojnë situatën. Fabrika ndodhet në qytetin Yatsushiro, një nga zonat e prekura nga lëkundjet e forta sizmike.

Tërmeti ka shkaktuar dëme edhe në objekte të tjera të rëndësishme. Kalaja e Kumamotos, një prej kështjellave më të vjetra dhe më të njohura të Japonisë, ka pësuar dëmtime, ndërsa administrata e saj njoftoi se aktivitetet e ditës do të pezullohen për shkak të situatës dhe u bëri thirrje qytetarëve të vendosin sigurinë personale mbi gjithçka.

  • Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, pas tërmetit janë regjistruar më shumë se 60 pasgoditje, me magnitudë nga 1 deri në 4.

    Agjencia e lajmeve Kyodo raportoi se një spital në qytetin Yatsushiro ka pranuar rreth 40 persona të lënduar nga tërmeti. Po ashtu, një tren është përmbysur në stacionin e Yatsushiros.

    Dëshmitarët kanë përshkruar momentet e frikës gjatë lëkundjeve. Yozo Kai, një prift në një faltore shintoiste në qytetin e afërt Mashiki, tha se disa fenerë prej guri u rrëzuan dhe se u shqetësua për dëmtimin e ndërtesës kryesore dhe portës së faltores.

    “Lëkundjet më kujtuan tërmetin e Kumamotos 10 vite më parë dhe u frikësova”, tha Hiroki Shimoda, zyrtar në bashkinë e Mifunes, i cili pa çatitë e shtëpive përreth të binin në tokë.

    Autoritetet japoneze vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe vlerësimin e dëmeve në zonat e prekura.


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme