TVSH-ja shtyn të ardhurat, buxheti mbyll shtatëmujorin me suficit. Çfarë po ndodh me investimet publike? 

Ekonomi | 2 muaj më parë

Të ardhurat e buxhetit të shtetit vijuan rritjen gjatë shtatëmujorit të parë të vitit 2026, duke reflektuar një zgjerim të arkëtimeve nga tatimet, sigurimet dhe të ardhurat doganore. Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave, në periudhën janar-korrik u mblodhën 484.6 miliardë lekë, në nivelin 100% të planit të periudhës dhe 11.8% më shumë se një vit më parë.

Rritjen më të fortë e kanë dhënë të ardhurat nga TVSH-ja neto në vend, të cilat u rritën me 25.1%, ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale solli 17.3% më shumë arkëtime. Edhe fondet speciale, arkëtimet nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore u rritën me 13.4%, një tregues që lidhet me zgjerimin e punësimit dhe të bazës së kontributeve.

Në krahun e shpenzimeve, qeveria shpenzoi 433.2 miliardë lekë, ose 7.8% më shumë se në shtatëmujorin e vitit të kaluar. Shpenzimet kapitale u rritën me 10.1%, ndërsa ato korente me 7.5%.

Diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve rezulton rreth 51.4 miliardë lekë, duke krijuar një suficit të konsiderueshëm në shtatëmujor. Megjithatë, ritmet më të shpejta të të ardhurave krahasuar me shpenzimet tregojnë se performanca fiskale po mbështetet në rritjen e arkëtimeve, ndërsa realizimi i investimeve publike mbetet një element për t’u monitoruar në muajt e mbetur të vitit.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme