Urdhri i presidentit Trump për refugjatët, reagon OKB: Kërkesa për azil është e drejtë universale

Botë | 2 vite më parë

Dy vendimet e presidentit amerikan Donald Trump për të ndaluar pranimin e refugjatëve dhe për t’i dhënë fund programit të azilit shkaktuan një reagim nga OKB-ja, e cila njoftoi se e drejta për të kërkuar azil është e drejtë universale.

Zëdhënësja e të drejtave të OKB-së, Ravina Shamdasani, duke folur me gazetarët në Gjenevë, tha: “Të gjitha shtetet kanë të drejtë të ushtrojnë juridiksionin e tyre përgjatë kufijve të tyre ndërkombëtarë, (por) ata duhet ta bëjnë këtë në përputhje me detyrimet e tyre për të drejtat e njeriut.”

“E drejta për të kërkuar azil është një e drejtë njerëzore e njohur botërisht”, tha zyrtarja.

Ky reagim vjen si përgjigje ndaj shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga Trump në kufirin jugor të SHBA-së në ditën e tij të parë në detyrë.

Ai ka premtuar gjithashtu se do të dëbojë “miliona e miliona” emigrantë. Shtëpia e Bardhë gjithashtu i dha fund një programi azili për njerëzit që ikin nga regjimet totalitare në Amerikën Qendrore dhe Jugore, duke lënë mijëra njerëz të bllokuar në anën meksikane të kufirit.

Në një postim në X, dikur në Twitter, Karoline Leavitt, sekretarja e shtypit e Trump tha: “Administrata Trump arrestoi 538 kriminelë emigrantë të paligjshëm, duke përfshirë një terrorist të dyshuar, katër anëtarë të bandës Tren de Aragua dhe disa ilegalë të dënuar për krime seksuale kundër të miturve. ”

Trump gjithashtu nënshkroi një urdhër ekzekutiv që i jep fund pranimit të refugjatëve, në fuqi më 27 janar.

Vendimi gjithashtu ndaloi “të gjitha udhëtimet e planifikuara të refugjatëve në Shtetet e Bashkuara”, sipas një emaili që Departamenti i Shtetit i dërgoi organizatave që punojnë me të ardhurit në tokën amerikane.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme