Vaditja e tokave në Pojan të Korçës, më shumë ujë falë reshjeve të këtij viti
Procesi i vaditjes së tokave bujqësore në Njësinë Administrative Pojan po zhvillohet normalisht, ndërsa këtë vit fermerët po përfitojnë nga sasitë më të mëdha të ujit, si pasojë e reshjeve të bollshme të regjistruara gjatë stinëve të fundit.
Krahasuar me vitin e kaluar, rezervat ujore janë më të larta, duke krijuar kushte më të favorshme për ujitjen e kulturave bujqësore.
Administratori Kreshnik Azo bën të ditur se, përpara nisjes së sezonit të vaditjes, janë kryer ndërhyrjet e nevojshme për pastrimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve vaditëse, duke garantuar shpërndarje më efikase të ujit në të gjithë territorin.
Kjo ka bërë që deri më tani fermerët të mos hasin probleme në furnizimin me ujë për kulturat e mbjella.
“Sezoni i vaditjes ka nisur para dy javësh. Të gjithë kanalet janë të mbushura plot me ujë. Po ashtu edhe moti i ka favorizuar për shkak se të gjithë lumenjtë janë të mbushur në kapacitetin maksimal të tyre.S shpresojmë që ta kalojmë shumë lehtë sezonin e vaditjes të fermerëve. Vaditja ka filluar në fshatin Zëmblak pasi atje mbillet kultura e qepës. Shumë pak ka filluar edhe vaditja në zonën e Ormanit për pataten, për pjesën e patates. Bashkia Maliq ka ngritur disa grupe të përcaktuara në zona të caktuara ku uji u jepet fermerëve në vendin e tyre ku e kërkojnë ata dhe kundrejt një pagese që është caktuar nga këshilli bashkiak bëhet pagesa dhe fermerët vazhdojnë me ujitjen e tokës.
Njësia Administrative Pojan përfshin një nga sipërfaqet më të mëdha bujqësore në zonën e Maliqit, me rreth 5200 hektarë tokë, çka e bën menaxhimin e ujitjes një proces të rëndësishëm për mbarëvajtjen e sezonit bujqësor.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





