Valbona ”pushtohet” nga turistët, sezon i mbarë e me shifra në rritje të turistëve

Turizëm | 3 muaj më parë

Sapo shkel në Tropojë, has vizitorët e parë. Një grup çiklistësh nga Britania e Madhe. Ben ka udhëtuar nga Oksfordi dhe thotë se ndodhet në Shqipëri prej 3 ditësh.

Bashkë me shokët e tij, këtë tur e kanë nisur nga Podgorica e Malit të Zi, duke kaluar më pas në Shkodër. Thotë se nuk kanë mundur të futen në Valbonë për shkak të një itinerari të paracaktuar, por kanë qëndruar dy ditë në Komandukë, duke e cilësuar si një kohë shumë të bukur.

Tani po udhëtojnë drejt Kosovës, duke treguar për këtë udhëtim mbresëlënës në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Shqipëri. Destinacioni i fundit është Prishtina.

Për Shqipërinë, Ben ka përshtypjet më të mira. Ai veçon peizazhet e bukura, por mbi të gjitha njerëzit dhe komunikimin me ta. Sipas tij, shqiptarët janë shumë miqësorë. Ata i pyesin në çdo ndalesë nëse kanë ndonjë problem apo shqetësim, u ofrojnë ndihmë dhe mbi të gjitha, u dhurojnë buzëqeshje dhe ngrohtësi.

“Janë shumë miqësorë. Madje, në disa vende na kanë ofruar edhe ushqime. Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme të takosh njerëz të tillë dhe kjo vizitë në Shqipëri do të mbetet gjatë në kujtesë për të gjithë grupin e shokëve”, shprehet ai.

Pasi ndahemi me Benin dhe sapo shkelim në luginën e Valbonës, hasim grupet e para turistike në rrugë. Ata janë nga Izraeli.

Bashkëshortët Shoshana dhe Jezreal vijnë për herë të parë në Shqipëri. Pasi shijojnë bukurinë e lumit dhe kaltërsinë e tij kristal, nisen drejt qendrës së Parkut Kombëtar të Valbonës. Të entuziazmuar nga kjo përballje me bukurinë e Alpeve Shqiptare, ata nisin edhe një këngë në kor në gjuhën hebraike.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme