Viti i ri mësimor në HAS, 2.061 nxënës në 25 shkolla 9-vjeçare e të mesme

Arsim | 1 vit më parë

Shkollat e bashkisë së Hasit kanë hapur dyert për nxënësit në këtë vit të ri mësimor.

Sipas drejtorit të Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar (ZVAP), Ardjan Xhaferi, kjo javë e parë e mësimit duket një nisje e mbarë dhe pa probleme.

“Viti shkollor ka nisur me sukses. Nga klasa e parë deri në klasën e dymbëdhjetë janë regjistruar 2.061 nxënës. Ka përfunduar me sukses pajisja me tekste shkollore për të gjitha shkollat,” shprehet z. Xhaferi.

Për nxënësit e gjimnazit “Skënderbeu”, mësimi do të zhvillohet me turne për shkak të rikonstruksionit të plotë të shkollës.

“Problematik është gjimnazi ‘Skënderbeu’, pasi ata po vazhdojnë mësimin në orarin e mbasdites për arsye të rikonstruksionit të shkollës. Besoj qënë muajin dhjetor do të përfundojnë punimet, që në muajin janar të mirëpresim nxënësit dhe mësuesit,” thotë drejtori i ZVAP Has

Numri i nxënësve vit pas viti ka ardhur në rënie edhe në Has. Drejtori Xhaferi thotë se një nga shkaqet kryesore është braktisja e zonave rurale.

“Shqetësimet janë ngritur edhe në prefekturë dhe po merren masa në radhë të parë për sensibilizimin e nxënësve dhe prindërve për të shmangur pjesën e braktisjes. Zonat më problematike janë Helshani, pjesa e Vlahnës dhe zonat e Goleve,” tregon ai.

Sipas drejtorit, çdo shkollë mbulohet me mësues përkatës, referuar portalit “Mësues për Shqipërinë”. Për nxënësit dhe mësuesit jashtë qytetit të Krumës është zgjidhur edhe problemi i transportit.

Në Bashkinë e Hasit janë 2,061 nxënës që vijojnë mësimin në 25 shkolla, prej të cilave një gjimnaz, një shkollë e mesme e bashkuar dhe 23 shkolla të tjera nëntëvjeçare e fillore.

Gazetar: Bujar Muçmata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme