Vrasja e turistit portugez në Ksamil, policia prangos 11 persona, zbardhet roli i stafit dhe sigurisë, në kërkim pronari i lokalit dhe një bashkëpunëtor
Një operacion i gjerë dhe intensiv i strukturave të Policisë së Shtetit ka bërë të mundur zbardhjen e plotë të dinamikës së vrasjes së një turisti 20-vjeçar portugez, ngjarje e regjistruar në orët e para të mëngjesit të datës 18 gusht 2026, në Ksamil. Pas shoqërimit të 41 personave, hetimet janë fokusuar me arrestimin e 11 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, duke zbuluar një zinxhir dështimesh në siguri dhe përfshirjen e stafit të shërbimit.
Arrestimi i autorit të dyshuar dhe tentativa e arratisjes
Autori i dyshuar i krimit të rëndë, S. L. (alias S. V.), 29 vjeç, u kap disa orë pas ngjarjes falë një operacioni të koordinuar mes Drejtorive Vendore të Policisë së Sarandës, Vlorës dhe Fierit. Ai u prangos në Levan të Fierit gjatë një tentative për t’u arratisur drejt kryeqytetit.
“Shtetasi u kap në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga dy shtetas turq. Ata kishin njohje me autorin dhe e kishin fshehur në makinë, me qëllim që ta transportonin drejt Tiranës për t’i shpëtuar drejtësisë,” deklaroi Policia.
Dy shtetasit e huaj, E. P. (31 vjeçe) dhe N. M. (38 vjeç), u arrestuan në flagrancë nën akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit”.
Dinamika e përplasjes, përfshirja e kamarierëve dhe mosveprimi i sigurisë
Sipas dosjes hetimore, ngjarja tragjike ka nisur rreth orës 05:15 brenda ambienteve të lokalit “Principote” dhe ka degraduar në përdorimin e armëve të ftohta në plazhin e lokalit fqinj, “Paradise”. Para goditjes fatale me thikë nga 29-vjeçari, viktima është goditur fizikisht edhe nga një shtetas tjetër (D. H., i shpallur në kërkim) si dhe nga katër kamarierë të lokalit.
Një detaj i rëndë i evidentuar nga prokuroria është mosveprimi total i personelit të sigurisë, mes të cilëve kishte edhe punonjës të shtetit.
“Në rolin e bodyguard-ëve kanë qenë persona me detyra shtetërore, konkretisht një punonjës policie i Gjirokastrës, një punonjës i burgut të Fierit dhe një i Policisë Bashkiake Gjirokastër. Ata jo vetëm që nuk ndërhynë për parandalimin e ngjarjes, por pas saj nuk njoftuan as autoritetet e Policisë së Shtetit,” theksohet në referimin e akuzës.
Akuzat dhe personat në kërkim
Autoritetet kanë shpallur në kërkim bashkëpunëtorin në krim, 29-vjeçarin D. H., dhe pronarin e lokalit “Principote”, shtetasin B. B. (36 vjeç), i cili rezulton të jetë larguar nga vendngjarja pa raportuar krimin.
Të arrestuarit përballen me një sërë akuzash të rënda. Autori kryesor dhe bashkëpunëtori i tij akuzohen për “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim”. Kamarierët, personeli i sigurisë dhe pronari i lokalit akuzohen për “Moskallëzim të krimit”, ndërsa për punonjësin e policisë rëndon edhe akuza shtesë e “Mosmarrjes së masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.
Dosja tashmë i ka kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



