Zgjidhni mësuesinë, Rektori i Gjirokastrës: Profesion i kërkuar dhe i mirëpaguar
Ndërsa aplikimet për në universitete vijojnë, rektori i Universitetit “Eqrem Çabej” Jaho Cana u bën thirrje të rinjve të zgjedhin edhe degët e mësuesisë, ku ky universitet ka një histori 55-vjeçare në përgatitjen e mësuesve.
Cana ka vënë theksin te vlerësimi që ka marrë ky profesion, ku paga mesatare ka arritur në 900 €.
“Ishte krijuar një ngërç i tillë ku mendoi se puna e mësuesit ishte një punë e rëndomtë. Tashmë puna e mësuesit është bërë një nga punët më të mira dhe më të mirëpaguar. Mos harroni që paga mesatare ka kaluar mbi 900 € në muaj.”
Për mikrofonin e RTSH, rektori Cana është shprehur edhe mbi arsyet pse duhet të shihen me prioritet degët e mësuesisë.
“Pavarësisht se krijohet ideja sikur ka një tejngopje kuadro në fushën e sistemit parauniversitar, në të vërtetë gjendja nuk është kjo. Sistemi parauniversitar ka nevojë për kuadër të mirë, për kuadro të zotë, sepse janë pikërisht ata që kanë në dorë të ardhmen e këtij vendi. Duhet thënë që mësuesit, puna e mësuesit tashmë po kalon në programet tona të studimit. Janë programe tejet të revolucionarizuara. Janë programe të cilat japin një hapësirë të jashtëzakonshme për të mos u marrë thjesht vetëm me punën e mësuesit, por ata janë të përgatitur për të shërbyer edhe në nivele të ndryshme dhe të caktuara të administratës shtetërore.”
Universiteti i Gjirokastrës ofron 22 programe studimi në ciklin bachelor dhe profesionale dyvjeçare për vitin e ri akademik 2026-2027, ku shtatë prej tyre i përkasin profilit të mësuesisë.
Gazetare: Y. Ponde
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





