14 maji/ Rama nga Saranda: Do ta bëjmë një nga “magnetet” më të forta tërheqëse të Mesdheut

Kreu i Partisë Socialiste, njëherazi edhe kryeministri i vendit, Edi Rama është ndalur në Sarandë pasditen e kësaj të premte (5 maj), ku ka zhvilluar një takim me qytetarët, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Rama përmendi si investim të kryer atë të kanalizimeve, teksa shtoi se do të bëhet edhe investimi tjetër në mënyrë që qyteti të ketë 24 orë ujë.
Ndalur te porti i ri turistik, kryesocialisti u shpreh se qëllimi i tij është që Saranda të kthehet në një nga pikat turistike më tërheqëse të Mesdheut.
“Saranda sot nuk krahasohet me Sarandën dje, jo vetëm në atë që shohim, por edhe në atë që nuk shihet, por që ne e dimë, ju e dini, Saranda po mbyll një plagë të tmerrshme të kanalizimeve që mungonin dhe ujërave të ndotura që derdheshin ku të mundej. Me këtë investim të mbyllur ne po garantojmë që kjo pasuri e madhe të rritet në vlerë. Ashtu sikundër kjo është fushata e parë në kujtesën time që kur janë bërë zgjedhjet vendore që ne nuk flasim më për ujë të pijshëm, sepse kemi bërë një transformim shumë të madh. Sot duhet të bëjmë edhe investimet e fundit, për të rritur burimin e ujit për Sarandën. Saranda garantohet që të ketë ujë 24 orë dhe të ketë një burim të sigurt. Se ujësjellësi është shtruar kudo, por na duhet një burim plus. Porti i ri turistik që po bëhet në anë tjetër, besoj se duhet shoqëruar edhe me transformimin e portit turistik këtu brenda gjirit të qytet, për ta bërë Sarandën një nga magnetet më të forta tërheqëse të Mesdheut“, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




