14 Maji/ Vasili: SPAK dhe KQZ me dy strandarte. Skandal mosveprimi për kallëzimin ndaj Kryebashkiakes Bufi

Politikë | 3 vite më parë

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili ka deklaruar se Shqipëria më 14 maj, nuk zhvilloi zgjedhje, por votime të kriminalizuara nga qeveria dhe Kryeministri Edi Rama.

Vasili shprehet se çdo moment i procesit zgjedhor ka qenë i manipuluar, i kompromentuar dhe në dhunim të plotë të Kodit Zgjedhor, teksa ka renditur dhe disa nga momentet që sipas tij, mbështesin akuzat e artikulluara.

“Së pari, e gjithë Shqipëria e di më së miri që elementi kryesor i sigurisë i arritur me marrëveshjen mazhorancë-opozitë të vitit 2020 për identifikimin biometrik që do të pengonte votimin e shumëfishtë dhe atë familjar u rrëzuar përtokë. Në qindra qendra votimi, pajisjet nuk funksiononin aq sa dhe vetë kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi nuk u identifikua dot në mënyrë biometrike. Pra, mbi 20 milionë euro të shpenzuara, nuk shërbyen për asgjë vetëm u shpërdoruan. E ndërkohë siç do provohet dhe në rastin e Kuçovës, votimi shumëfishtë dhe familjar ndodhi në të gjithë territorin duke deformuar totalisht rezultatin e zgjedhjeve”, tha Vasili.

Ky i fundit hodhi akuza edhe ndaj KQZ-së dhe SPAK-ut që sipas tij, dhanë kontributin e tyre në shkatërrimin e zgjedhjeve vendore, duke përdorur dy standarte.

Vasili u ndal konkretisht te arrestimi i kandidatit fitues të “Bashkë Fitojmë” në Himarë, Fredi Belerit, duke u konsideruar si skandal. Për nënkryetarin e PL-së, një tjetër skandal lidhet me mosveprimin nga ana e drejtësisë për kryetaren e bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufit, e kallëzuar në SPAK për shantazhim dhe pengimin në zgjedhje, ndaj së cilës nuk është bërë asnjë veprim.

“KQZ dhe SPAK kontribuuan vetëm në shkatërrimin e zgjedhjeve sepse përdorën dy standarde. Një standard për qeverinë që të manipulonte si të donte dhe një për opozitën të cilës i shpiknin ngjarje për ta penguar dhe dëmtuar. Është skandal shumë i rëndë që ndërsa Majlinda Bufi kryetare e Roskovecit, e kallëzuar në SPAK, e denoncuar botërisht me zë dhe figurë, për shantazhim dhe pengimin në zgjedhje dhe për shkelje të nenit 329 të Kodit Penal për ‘Kanosje që i bëhet zgjedhësit në një mënyrë të caktuar apo për të mos marrë pjesë në zgjedhje’, nuk u bë asnjë veprim ndërsa kandidati i Himarës, Fredi Beleri inskenohet nga policia një situatë dhe arrestohet me pretendime për ndërhyrje në procesin zgjedhor. Për të gjitha kallëzimet në SPAK të opozitës, nuk ka pasur as veprimin më të vogël përpara zgjedhjeve duke u nisur nga strategjia e faktit të kryer dhe për të mbështetur verbtas qeverinë”, tha Vasili.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme