15-vjetori i Shqipërisë në NATO, Begaj: Më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën euroatlantike

Politikë | 3 vite më parë

Me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, presidenti i vendit, Bajram Begaj përcolli sot një mesazh përmes të cilit thekson se 1 prilli i vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme.

 “Data e 1 prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës sonë.

Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare

Mirënjohës ndaj popullit shqiptar, SHBA-ve dhe aleatëve, të cilët mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi”, shkruan Begaj në mesazhin e tij.

Sipas Begajt, në këto 15 vite Shqipëria në NATO ka sjellë më shumë siguri për vendin dhe hapësirën Euroatlantike.

Ai shton se Shqipëria do të të vijojë të jetë e palëkundur për të mbrojtur lirinë dhe kontributin për një botë në paqe.

“Shqipëria në këto 15 vite në NATO ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën Euroatlantike.

Krenar për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje.

Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe”, thekson më tej Begaj.

Ndërkaq, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani shkruan se ky është një rrugëtim i përkushtimit, solidaritetit dhe mbrojtjes kolektive.

Ai thekson se Shqipëria mbetet një kontribuues i përkushtuar i NATO-s. “Një rrugëtim i përkushtimit, solidaritetit dhe mbrojtjes kolektive. Shqipëria mbetet një kontribuues i përkushtuar i #NATO-s, duke qëndruar me krenari me aleatët e saj për të mbështetur vlerat tona të përbashkëta dhe për të përqafuar paqen”, shkruan Hasani.

Edhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla uroi 15-vjetorin e Shqipërisë në NATO duke e konsideruar si anëtare aktive, e vendosur dhe e besueshme e Aleancës.

“15 vjet më parë, Shqipëria u pranua anëtare e NATO-s. Si një nga anëtarët më të rinj, Shqipëria është rasti më tipik që dëshmon se kontributi në Aleancë nuk varet as nga madhësia, as nga pasuria, as nga niveli i zhvillimit, as nga historiku dhe jetëgjatësia si anëtare. Por varet nga përkushtimi i sinqertë për paqen.

Shqipëria e ka fituar besimin dhe bindjen e ShBA dhe anëtarëve të tjerë të mëdhenj të NATO-s, me përkushtimin e qartë, të vendosur dhe pa asnjë dilemë në zbatimin e vendimeve të Aleancës, në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe lirisë së kombeve”, shkruan Nikolla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme