Procedura të lehtësuara për mjekët e rinj, hiqen provimet e ndërmjetme para Provimit të Shtetit

Shëndet | 4 minuta më parë

Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale kanë nënshkruar një akt të përbashkët që lehtëson ndjeshëm procedurat e hyrjes në tregun e punës për profesionistët e rinj të shëndetësisë, duke hequr provimet e ndërmjetme të vlerësimit nga Urdhrat Profesionalë.

Në bazë të këtij rregullimi të ri, farmacistët, infermierët, mamitë, stomatologët, imazheristët dhe kategoritë e tjera të këtij sektori do të mund t’i nënshtrohen Provimit të Shtetit menjëherë pas përfundimit të praktikës profesionale. Vendimi vjen si përgjigje ndaj kërkesave të vazhdueshme të grupeve të interesit për eliminimin e pengesave burokratike.

Gjatë një video-mesazhi të publikuar edhe nga Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, argumentoi nevojën e këtij derregullimi për të lehtësuar barrën administrative dhe psikologjike mbi të rinjtë.

“Pas disa diskutimeve me ekipet tona, sot dakordësuam dhe nënshkruam urdhrin për të hequr këto ngarkesa të tepërta, me qëllim lehtësimin e punësimit dhe nxitjen e profesionistëve të rinj drejt tregut të punës, por edhe për t’u hequr një barrë psikologjike. Me derregullimin që ne vendosëm sot ju ftojmë që mbasi të keni mbaruar praktikën të bëheni gati për provimin e radhës për të marrë licencën e ushtrimit të profesionit pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore,” tha Kumbaro.

Nga ana e saj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, theksoi se fokusi i dy institucioneve do të zhvendoset te rritja e cilësisë së vetë praktikës profesionale.

“Falë bashkëpunimit mes dy ministrive, është bërë e mundur që profesionistët e rinj, pas përfundimit të praktikës profesionale, të mos i nënshtrohen më një provimi paraprak përpara Provimit të Shtetit. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të gjithë Urdhrat Profesionalë dhe realisht e vlerësojmë maksimalisht kontributin e tyre, si në formimin e profesionistëve dhe brezave të rinj në të gjitha këto profesione, ashtu edhe në hartimin e protokolleve të reja të bashkëpunimit, në mënyrë që praktika profesionale të zhvillohet ashtu siç duhet dhe në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve,” u shpreh Spahiu.

Përveç ndryshimeve rregullatore, Ministrja Kumbaro bëri me dije se Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) është në proces reformimi për t’u transformuar në Agjencinë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore. Procesi shoqërohet me investime në ambiente të reja teknologjike për të rritur kapacitetet e testimit.

“Përfundimi i këtij projekti gjatë vitit të ardhshëm do të mundësojë shmangien e provimeve me turne, që aktualisht zhvillohen për shkak të kapaciteteve të kufizuara, duke garantuar kushte më dinjitoze dhe komode për kandidatët që i nënshtrohen Provimit të Shtetit,” përmbylli Kumbaro.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme