Kurti kërkon mbështetje nga Franca për avancimin e Kosovës drejt BE-së

Kosovë | 4 minuta më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar Francës mbështetje për avancimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës, përmes marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kërkesa u bë gjatë një takimi në Asamblenë Kombëtare të Francës, ku Kurti zhvilloi diskutime me përfaqësues të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Komisionit për Çështje Evropiane.

Gjatë takimit, kreu i qeverisë së Kosovës foli për zhvillimet demokratike dhe ekonomike në vend, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit me Francën në rrugën drejt integrimit evropian.

Kurti rikujtoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, ende nuk ka marrë një përgjigje për hapin e mëtejshëm të procesit.

“Aplikimi ynë për anëtarësim në BE po pret hapin e radhës që nga dhjetori i vitit 2022. Kërkojmë statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se Kosova është e gatshme të vijojë procesin, përfshirë pranimin e pyetësorit të Bashkimit Evropian, ndërsa kërkoi angazhimin e Francës për të ndihmuar në sigurimin e vendimmarrjes nga Këshilli Evropian.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme