2021, 1 miliardë lekë për fermerët

Qeveria shqiptare ka marrë përsipër të paguajë nga buxheti i vet i vitit 2021, rreth 1 miliardë lekë, me synim mbështetjen e fermerëve shqiptarë. Kjo masë mbështetëse vlerësohet si një input pozitiv për fermerin, ndërsa se sa do të realizohet mbetet për t’u parë. Sipas ekspertëve, skema të tilla gjithashtu krijojnë hapësira për abuzime dhe e tillë rezultoi skema e përdorur në vitin 2005, kur u zbatua për herë të parë.
Nafta parashikohet të zhvishet nga tre taksa, si taksa e karbonit, akciza dhe ndikimit në mjedis dhe sipas llogaritjeve nafta për fermerin do të jetë me çmim më pak se 90 lekë deri në 100 lekë/litër. Kjo llogaritje përkon me çmimin aktual të naftës në tregun shqiptar. Kostoja nga heqja e 3 taksave llogaritet të jetë 57 lekë deri 60 lekë/litër.
Sikursë është deklaruar, shpërndarja e naftës do të bëhet për fermerin e regjistruar me NIPT, në bazë të sipërfaqes të deklaruar. Nëpërmjet platformës online, fermeri i pajisur me NIPT duhet të bëjë deklarimin e sipërfaqes së tokës, për të kalkuluar naftën që i nevojitet.
Qeveria ka llogaritur se në total nga skema e re pritet të përfitojnë 70 mijë fermerë. Subvencioni do të duhet ta bëjë më konkurrues fermerin shqiptar dhe produktet e fshatit. Bujqësia shqiptare në raport me Rajonin ka dyfishin e peshës në PBB dhe punësim, por furnizon tregun vendas me produkte shume herë më pak.
Në mesin e pesëvendeve në Rajon, Shqipëria ka deficitin më të lartë tregtar të produkteve ushqimore, çka do të thotë se Shqipëria për nevojat e konsumit të brendshëm importon ushqime mbi gjysmë miliardi euro më shumë se eksporton.
Nga ana tjetër masa e re e qeverisë pritet të rrisë numrin e NIPTE-ve të fermerëve deri në 100 mijë, nga 48 mijë që janë aktualisht të regjistruar në tatime.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




