Reagime pas dënimit të dytë të Thaçit/Kosova dënon vendimin, Prokuroria Speciale tha se do të hetojë çdo rast të dyshimtë
Partia Demokratike e Kosovës e cilësoi të turpshëm dhe të papranueshëm vendimin e dytë të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-presidenti Hashim Thaçi. “Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj gjykate.
Padrejtësisë do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton”- deklaroi kryetarja në detyrë Vlora Çitaku. “34 vite pas lindjes së Ushtrisë Çlirimtare, më 17 nëntor 2026, në Hagë u dha një tjetër vendim dënues, si pasojë e pengimit të drejtësisë. Në të vërtetë, kjo nuk ka ndodhur, por ky është këndvështrimi evropian për Republikën e Kosovës në administrimin e politikave të saj të brendshme, si një vend i paaftë dhe jo garantues!” – deklaroi deputeti i LDK-së Lutfi Haziri.
Platforma “Liria ka Emër” zhvilloi një tubim simbolik para Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë. Përmes një pankarte ku shkruhej “Evropë, ku është drejtësia?” të vendosur pranë hyrjes së godinës u paraqit një krahasim mes dënimeve të ish-presidentit të Serbisë Vojislav Sheshel dhe Hashim Thaçit. Reagim nga Bashkimin Evropian dhe shtetet që financojnë Gjykatën Speciale kërkoi edhe Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, duke e cilësuar dënimi e Thaçit të papranueshëm.
“Ku është bashkësia evropiane? Ku është Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian? Ku janë ato shtete që e financojnë këtë gjykatë të njëanshme, të padrejtë dhe me plot gojë e thënë raciste?”
Mes këtyre reagimeve, prokurorja e specializuar Kimberli West e përshëndeti vendimin e Gjyatës Speciale për Thaçin. “Ata që përpiqen të sabotojnë sundimin e ligjit, të zbulojnë materiale sekrete të gjykatës apo të ndërhyjnë te dëshmitarët, do të vihen para përgjegjësisë, pavarësisht statusit apo postit të tyre” – u shpreh West përmes një njoftimi, duke paralajmëruar vazhdimin e hetimeve dhe ndjekjeve penale për raste të ngjashme.
Gjykata Speciale dënoi Hashim Thaçin me 1 vit e 5 muaj burgim, Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun me nga një vit, ndërsa Hajredin Kuçin me një muaj burgim me kusht. Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




