23 ditë protestë për Zvërnecin, organizatorët listojnë kërkesat drejtuar Ramës
Protesta kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit ka hyrë sot në ditën e saj të 23-të, duke mbledhur sërish qytetarë në Tiranë. Protestuesit e konsiderojnë projektin turistik si një rrezik për mjedisin dhe trashëgiminë natyrore, ndërsa shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë dhe klasës politike.
Tubimi nisi në Sheshin “Skënderbej”, ku qytetarët u pajisën me pankarta dhe flamuj kombëtarë, për të marshuar më pas përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri para Kryeministrisë. Në momentin e mbërritjes, u këndua himni kombëtar dhe aktivistë e qytetarë morën fjalën duke përsëritur thirrjet për anulimin e projektit dhe duke kërkuar largimin e kastës së vjetër politike.
“Për 30 e ca vite kjo kastë politike nuk ka zgjidhur asnjë problem të qytetarëve, por kanë bërë ligje vetën në interes të një grup njerëzish. Zvërneci ishte vetëm shkëndija për popullin e lodhur nga kjo klasë politike. Nga ky bulevard do dalin ata që do ndërtojnë Shqipërinë e re. Kjo lëvizje është pa kthim pas, nuk do lodhemi”, tha një protestues.
Organizatorët e protestës lexuan një deklaratë me kërkesat që sipas tyre kërkojnë protestuesit, ku përfshihen një sërë pikash.
“Sot jam autorizuar nga grupi koordinues i protestës. Në emër të grupit koordinues, duke dëgjuar propozimet e sovranit, dalim sot para jush me këtë deklaratë për të sqaruar protestuesit dhe gjithë bashkëkombasit se kjo protestë kërkon: 1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë. 2. Krijimin e një qeverie teknike dhe tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor. 3. Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe miratimin me referendum popullor, duke përfshirë: ndryshimin e Kodit Zgjedhor; ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme; kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës së një individi. Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare: Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura. Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore. Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Pakti i Maleve”. Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike. Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, që do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës”, ishin kërkesat që u lexuan nga një nga organizatorët në nisje të fjalës së tyre para Kryeministrisë.
Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke paralajmëruar se aksionet do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



