Zogaj: Paketa fiskale, reagim ndaj protestës, pasoja për shtresën e mesme, ‘gjeneratorin’ e punësimit
Analisti dhe publicisti Preç Zogaj e konsideron situatën ekonomike në vend si një alarm serioz për politikën shqiptare, duke kërkuar një reflektim të gjerë institucional dhe shoqëror mbi nivelin e varfërisë dhe përjashtimit social.
I ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH 1 HD, ai tha se debati për paketën e re fiskale nuk mund të ndahet nga realiteti ekonomik me të cilin përballen mijëra familje shqiptare.
Duke iu referuar të dhënave të publikuara së fundmi nga INSTAT, sipas Zogaj u ndal te niveli i lartë i varfërisë në vend, që sipas tij duhet të shërbejë si alarm për të gjithë klasën politike.
“Unë nuk mund të parashikoj se do të ketë zgjedhje të parakohshme, por e shikoj si një reagim edhe ndaj protestës, ndaj protestës jo vetëm studentore, por popullore, që ka pasur gjithmonë si kryefjalë situatën ekonomike, gjendjen ekonomike. Por mendoj se është një shifër që ka ushtuar këto javët e fundit, e publikuar nga INSTAT-i, e cila na njeh me një realitet që e dinim pak a shumë në mënyrë empirike se ekzistonte, por nuk e dinim të shprehur përmes shifrave që institucioni shtetëror i statistikave i publikon. Dhe kjo është shifra për përqindjen e popullsisë shqiptare që jeton në kufijtë e varfërisë dhe të përjashtimit social, që ishte rreth 40%.”
Sipas Zogajt, situata ekonomike nuk duhet të shihet si çështje e një partie apo kampi politik, por si një problem kombëtar që kërkon bashkëpunim të gjerë.
“Unë mendoj se duhet të ketë një konsensus ndërpolitik që kjo situatë nuk duhet të tolerohet.”
Analisti theksoi se presioni për të adresuar problemet ekonomike vjen njëkohësisht nga reagimi qytetar dhe nga treguesit zyrtarë ekonomikë, duke argumentuar se shifrat e varfërisë janë bërë tashmë një sfidë për të gjithë spektrin politik.
“Të dyja bashkë. Përmenda së pari edhe protestën, por është kjo shifër që tani bën presion mbi të gjithë elitën politike, mbi atë që është dhe mbi atë që do të doje të vijë. Sepse një shoqëri nuk mund të ketë prosperitet kur 40% e popullsisë së saj jeton në kushtet… se varfëria ka kudo, po jo në këtë përmasa, jo në 40% në kufijtë e varfërisë.”
Më tej, ai argumentoi se edhe statistikat mbi varfërinë nuk e tregojnë plotësisht gjendjen reale, pasi një pjesë e konsiderueshme e familjeve ndodhen shumë pranë kufirit të varfërisë.
“Dhe të mendojmë dhe tjetrën që këtu në kufijtë e varfërisë, përkundrejt një kuote që është arbitrare që e vendosim ne, pra duhet të ketë x lekë në dispozicion një familje për të mos qenë në kufijtë e varfërisë, në qoftë se ka 10 lekë më shumë nuk quhet. Pra, në qoftë se e vemë 400 mijë lekë, po e pat 410 mijë lekë nuk është në kufijtë e varfërisë, po aty në kufi është prapë.”
Për Zogajn, niveli i lartë i varfërisë tregon se ekonomia shqiptare ka probleme strukturore dhe se zhvillimi afatgjatë i vendit nuk mund të garantohet pa mbështetur shtresat më vulnerabël.
“Duhet të ketë një konsensus jo vetëm në nivel politik, por edhe në shoqëror, edhe tek sipërmarrja, që 40% e njerëzve në kufijtë e varfërisë tregojnë një vend që nuk zhvillohet. Pra është një vend i varfër në thelb. Dhe një vend që ka shumë pak gjasë që të zhvillohet në qoftë se nuk adresohen shumë vëmendje dhe shumë zgjidhje tek kjo kategori.”
Duke sqaruar pozicionin e tij ideologjik, Zogaj tha se mbështet ekonominë e tregut dhe iniciativën e lirë, por theksoi se zhvillimi ekonomik duhet të përfshijë të gjithë shoqërinë.
“Unë nuk jam i majtë nga pikëpamja e orientimit politik, unë jam një liberal demokrat që kam fenë e ekonomisë së tregut dhe të kapitalit, por ajo nuk e përjashton, se s’ka përjashtuar kurrë, që ekonomia e tregut, kapitali, iniciativa e lirë, zhvillohet për t’i zhvilluar të gjithë. Dhe në fakt nuk ka kurrë tjetër, nuk ka zgjidhje tjetër.”
Ai komentoi edhe reagimin e qeverisë ndaj situatës ekonomike, duke lënë të kuptohet se masat e propozuara ngjajnë më shumë me një përgjigje të momentit sesa me një strategji afatgjatë.
“Tani që e ka shqetësuar dhe atë, sikurse do të duhet të shqetësojë këdo, e thashë, merr një përgjigje që i ngjan pak si improvizim. Domethënë, është improvizim i momentit që do t’i përgjigjet kësaj situate dhe protestës.”
Në analizën e tij politike, Zogaj tha se kryeministri Edi Rama ka ndjekur shpesh një qasje pragmatike të lidhur me ruajtjen e pushtetit.
“Rama është një politikan tipik i idesë së pushtetit. Pra, kur pushtetit i duhet të jetë si Trump-i, është si Trump-i. Kur i duhet të jetë si Zapatero në Spanjë, është si Zapatero.”
Duke u ndalur te gjendja e ideologjive politike në vend, ai vlerësoi se partitë shqiptare nuk përfaqësojnë më qartë grupet sociale që tradicionalisht mbështesin të majtën apo të djathtën.
“Krahët ideologjikë, kur janë realë, ato me sa duket pasqyrojnë grupet shoqërore, nuk janë abstrakte. Domethënë kur themi e majtë, do të thotë që ke një elektorat dhe ke një popullsi që ka interes për politikat e majta.”
Sipas Zogajt, problemi kryesor qëndron te mungesa e identitetit ideologjik të lidershipit politik.
“Por këtu, ngaqë partitë tona dhe krerët e tyre nuk kanë ideologji, ata kanë vetëm ideologjinë e poltronit, ato lëvizin si në shilarës, nga skaji në skaj.”
Në fund, ai shprehu rezervat e tij për efektet që mund të sjellin ndryshimet fiskale ndaj biznesit dhe tregut të punës, duke paralajmëruar se rritja e barrës tatimore mund të ndikojë edhe tek shtresat më të varfra.
“Rritja eksponenciale e madhe e taksës për shtresën e mesme mendoj unë se do të ketë pasoja edhe tek ata që quhen shtresa e varfër.”
Zogaj argumentoi se biznesi i vogël dhe i mesëm mbetet motori kryesor i punësimit dhe se çdo ndërhyrje fiskale duhet të shoqërohet me analiza të kujdesshme.
“E kemi në përgjithësi për TVSH-në e rritur për biznesin e mesëm, të vogël dhe të mesëm. Ajo mund të sjellë pasoja sepse ajo është gjeneratori i punësimit. Dhe imagjinoni, duke dashur që të kesh disa shtresa në nevojë që duhen patjetër me u kuruar, mund të rrezikosh pastaj me punësimin e sa e sa njerëzve, sepse në fund të herës rritja e taksës për biznesin e vogël dhe të mesëm shkarkohet tek njerëzit që janë aty. Prandaj kjo kërkon ekuilibër të madh. Kjo nuk do asnjë ‘asberihaj’ që meqenëse sot doli ky problem, o burra merre këtë. Kërkon shumë maturi dhe shumë kalkulime.”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




